Politika Basha zbulon nëse i është nënshtruar testit të koronavirusit

Basha zbulon nëse i është nënshtruar testit të koronavirusit

Në konferencën online me gazetarët, kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se ndonëse vendi po përballet me përhapjen e koronavirusit, gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

I pyetur nëse i ishte nënshtruar testit për koronavirusin, Basha u përgjigj se nuk kishte arsye pse t’i nënshtrohej testit në një kohë që s’kishte asnjë indikacion prej mjekëve.

“Nuk kam pasur indikacione sipas këshillave të mjekëve që të më detyronin të bëja testin”,- tha ai.

Kryedemokrati  ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit të vendit Rama.

Basha tha se nuk do t’i përgjigjet, ndërsa e ftoi miqësisht që gjithë energjinë që siç tha, ka kryeministri për të folur për opozitën le ta përdorë për të ndihmuar shqiptarët.

“Kryeministri ka kohë të sulmojë opozitën, por i sugjeroj ta marrë këtë kohë për të shërbyer për njerëzit. I kërkoj miqësisht të mos harxhojë kohë me opozitën, i uroj shëndet e forcë të përballojë këtë situate. Energjinë që ka le ta harxhojë për të ndihmuar shqiptarët. Batutat kundër opozitës nuk sjellin ushqim në tryezat e shqiptarëve. Të ndërmarrë çdo masë për të mirën e qytetarëve”,- tha Basha.

“Zbato platformën e PD-së, ta sugjerojnë dhe këshilltarët e tu”

Basha përshëndeti edhe anulimin e prokurorimeve publike, ndonëse e quajti hap të vonuar dhe i bëri thirrje kryeministrit Rama të plotësojë pikat e platformës së PD-së dhe të opozitës së bashkuar siç ia kanë sugjeruar dhe këshilltarët e tij.

“Sot me anulimin e prokurimeve  ka hedhur hapin e duhur por të vonuar. Sot jo nesër të anulojë koncesionet dhe të plotësojë paketën të paktën në nivelin e Kosovës me një nivel buxhetor, gjysmën e buxhetit të Shqipërisë, e sot jo nesër të derdhë paratë me kontot e zbrazura të familjeve në nevojë dhe tu vijë në ndihmë biznesit sa më parë me të gjitha masat e propozuara të lehtësimit fiskal për të cilat edhe zyrtarisht siç jemi informuar këshilltarët ekonomikë të qeverisë Rama I kanë bërë thirrje të ndjekë dhe të plotësojë pikat e platformës së PD-së dhe të opozitës së bashkuar“, deklaroi Basha në një videokonferencë me gazetarët sot pasdite.