Kryesore Basha: Zgjedhjet e 30 Qershorit nuk do të lejohen dhe nuk do...

Basha: Zgjedhjet e 30 Qershorit nuk do të lejohen dhe nuk do të njihen

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se zgjedhjet e 30 Qershorit, në të cilat do të marrë pjesë Partia Socialiste, nuk do të lejohen që të zhvillohen dhe as nuk do të njihen.

Në një prononcim për gazetarët pas takimit që pati me të ngarkuarën me punë të ambasadës së SHBA, Basha hodhi poshtë aludimet se ditën e diel do të ketë incidente të dhunshme.

I pyetur nga gazetarët se si do të pengohet zhvillimi i votimeve më 30 Qershor, Lulzim Basha nuk dha asnjë përgjigje nëse opozita ka një plan të tillë.

“Është një mashtrim total dhe një shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij mafioze. S’ka zgjedhje më 30 Qershor. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Procesi zgjedhor pa opozitën nuk është proces zgjedhor, nuk ka dhe nuk do të ketë. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen”, tha Basha.

Datën 30 Qershor, Basha e konsideron fillimin e fundit të Kryeministrit Edi Rama.

“Sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh. Çdo hap i Edi Ramës, fushata, mitingje elektorale, janë në fakt të paligjshme. 30 Qershori nuk është datë zgjedhjesh, është data kur Edi Rama do përpiqet t’i kthejë shqiptarëve zgjedhjet njëpartiake me bashkëpunimin e krimit të organizuar. 30 Qershori është dita kur nis fundi i regjimit autokratiko kriminal të Edi Ramës. Edi Rama do përpiqet të ketë një proces falsë votimi”, deklaroi kreu i PD.