Politika Basha: Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo

Basha: Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo

Kryetari i PD, Lulzim Basha, tha se ka diskutuar për tre muaj rresht me Sali Berishën për të gjetur një zgjidhje pas shpalljes “non grata” nga ana e Shteteve të Bashkuara.

“Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo. Për 3 muaj jam takuar me të. Jam ulur shumë herë me Sali Berishën për të arritur një zgjidhje që nuk dëmtonte atë dhe as PD. Prita që këtë betejë ta bënte personale, për të mos penguar PD”, tha Basha.

“Kur nuk veproi, atëherë mora vendimin në favor të PD dhe demokratëve e mbi të gjitha në interes të Shqipërisë. Deri para dy muajsh nuk kishte asnjë problem me mua, tani jam unë problemi. Nuk kam ndërmend t’i përgjigjem gënjeshtrave flagrante që thuren ndaj meje”.

“Për vetingun e politikanëve ka firmosur edhe Berisha”

Kreu demokrat Lulzim Basha u pyet edhe për deklaratën e ish-kryeministrit Berisha, një ditë më parë, i cili e akuzoi Bashën se është skllav i Ramës, që propozon SPAK-un për hetimin e deputetëve. Sipas Bashës kjo nismë është që në vitin 2018 dhe për këtë ka firmosur edhe Sali Berisha.

“Nisma jonë nuk është e javës së kaluar, por e vitit 2018. I gjithë grupi parlamentar i PD dhe opozita e bashkuar kërkoi vetingun e politikanëve në 2018, depozitoi edhe me firmën e Berishës amendamentet për vetingun e politikanëve. Ky është fakti. Pas kësaj Edi Rama për të vonuar procesin kërkoi dërgimin në Komisionin e Venecias. Ne pranuam dhe Komisioni i Venecias solli një përgjigje që e kemi publikuar. Ajo që po ndodh sot është që kemi marrë të njëjtin propozim të firmosur nga opozita e 2017- 2018 dhe kemi reflektuar të gjitha kërkesat e Venecias. Unë i qëndroj firmës sime të shtator-tetor 2018. Nëse dikush tjetër ka ndryshuar qëndrim është çështje e tij. Me kërkesën për vetingun e politikanëve nuk bëjmë gjë tjetër veçse konfirmojmë atë të 2018. Zero tërheqje. Ky është një akt që kërkon një masë të plotë sinqeriteti”.

Basha theksoi edhe njëherë që vetingu i politikanëve të nisë nga ai i pari në mënyrë që të ketë besueshmëri dhe nuk duhet të përjashtojë askënd.

“Kam kërkuar që vetingu të fillojë nga unë që të ketë besueshmëri dhe nuk duhet të përjashtojë askënd dhe nuk mund të kryhet në forma e mënyra që shkatërrojnë besimin e publikut.

Ne kërkojmë veting të vërtetë të politikanëve nuk kemi frikë. Mirëkuptoj frikën e kundërshtarit politik dhe shqetësimet që mund të ketë, por nuk është ekspeditë ndëshkimore, nuk bëhet për interesat tona politike, por duhet të marrë fund rrotaçilja e të bërtiturit të reformës në drejtësi dhe atë ke frikë ta bësh për veten tënde. Vetingu për politikanët do të jetë publik dhe testi do të jetë qëndrimi ndaj procesit të vetingut”.