Extra Bashkëshortja e Elvis Naçit tregon detaje nga jeta, kujton me emocion takimin...

Bashkëshortja e Elvis Naçit tregon detaje nga jeta, kujton me emocion takimin e tyre të parë

Bashkëshortja e Elvis Naçit, Fatma, ishte e ftuar në studion e “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, për të treguar më shumë nga jeta dhe përditshmëria e tyre familjare.

Fatma nuk ngurroi të ndante historinë e dashurisë dhe takimin e parë me Elvisin, duke kujtuar emocionet e atij momenti 17 vite më parë.

“Elvisi ishte djali i parë që takoja dhe kisha emocione pafund… isha e shoqëruar nga motra ime, sigurisht edhe mamin e kam patur shoqen time më të mirë, vazhdoj ta kem dhe tani shoqen më të ngushtë. Pasi i mora leje asaj dhe ia shpjegova situatën, më dha leje, e kur u takuam Elvisi u kërkoi shoqëruesve tanë që të kalonin në tavolinë më vete. Unë gjatë gjithë kohës isha me sytë ulur dhe vetëm ai fliste, siç e karakterizon edhe sot …”, tha ndër të tjera ajo, duke theksuar se takimi i parë mes tyre ishte bërë më serioz seç ajo priste, kur Elvisi kishte nisur të fliste për një libër që kishte lexuar së fundmi.

Sot bashkëshorte e përkushtuar dhe nënë e tre fëmijëve, Fatma tregoi se ndihet shumë e lumtur dhe krenare për familjen e saj të madhe.

Ajo tregoi se Elvisi është një njeri shumë i qetë, serioz dhe i dedikuar ndaj familjes, ndaj marrëdhënia e tyre ka shkuar gjithnjë mirë, edhe pse në fakt nuk ngurroi të përmendte se kishte një arsye për të cilën ndihej xheloze ndaj bashkëshortit.

Fatma preferoi ta quante bamirësinë si “të dashurën” e Elvisit, pasi ky i fundit i kushton shumë kohë aktiviteteve të bamirësisë dhe nuk e mendon dy herë të shpenzojë për ata që kanë nevojë.

Thënë këtë, Fatma zbuloi se i është dashur t’ia blejë shtatë herë unazën e martesës, pasi Elvisi ua ka dhuruar të gjitha atyre që ia kanë pëlqyer.