Aktualitet Bashkia e Tiranës rihap thirrjet për 1000 kredi të buta

Bashkia e Tiranës rihap thirrjet për 1000 kredi të buta

Pas aplikimit me sukses të dy thirrjeve të para për programin e kredive të buta, Bashkia e Tiranës hapi thirrjen e tretë për 1000 familjet e reja, që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë sipas interesave të tregut. Lajmin e mirë e dha sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku u miratuan kriteret dhe procedura e re për subvencionimin e këstit të kredisë.

“Jemi bashkia lider, jo në Shqipëri, por në Rajon, për fuqizimin e familjeve të reja teksa marrin shtëpinë e tyre të parë. Do të vazhdojmë edhe këtë vit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Entin e Banesave, me aplikimet, të cilat zyrtarisht do të fillojnë në 15 shkurt. Qeveria e Shqipërisë dhe ministria ka përcaktuar 3 banka: Raiffeisen, BKT dhe Intesa Sanpaolo, ku mund të procesojmë aplikimet, pra qytetarët do të mund të zgjedhin secilën prej bankave. Siç e dini, këstet janë fikse, ndërkohë që Bashkia dhe qeveria do të paguajnë dhe amortizojnë normat e interesit, duke i dhënë prioritet çifteve të reja”, tha Veliaj.

Programi i subvencionimit të interesave të kredive do të targetojë familje/individë që nuk disponojnë banesë në pronësi, e ku përparësi në përzgjedhje kanë çiftet e reja dhe të rinj me moshë deri në 35 vjeç; individë/familje të minoritetit rom dhe egjiptian si dhe gra kryefamiljare ose gra të dhunuara. Gjithsesi, në  kriteret e miratuara sot nga Këshilli Bashkiak, nuk do të përjashtohen as ata individë a familje që nuk bëjnë pjesë në këto familje. Çdo individ/familje mund t’i drejtohet të treja bankave për të marrë ofertën që i përshtatet më mirë kushteve të tij/saja dhe më pas të vijojë me bankën që përzgjedh vetë.

“Besoj se do jetë një vit i mbarë, jo vetëm për të kujtuar 100-vjetorin e Tiranës, por edhe për të futur 1000 familje të reja në shtëpi të reja”, deklaroi Veliaj. Kontrata e kredisë që do të lidhë qytetari do të jetë me interes fiks për pjesën që i takon qytetarit deri në 3%, ndërsa luhatjet mbi këtë normë interesi janë në ngarkim të buxhetit të shtetit.