Politika Bashkim Fino: Rama t’i lexojë mirë duartrokitjet për Braçen

Bashkim Fino: Rama t’i lexojë mirë duartrokitjet për Braçen

Kur Edi Rama publikoi ndryshimet në qeverinë e tij, shumëkush mbeti i habitur.

Më së shumti vetë socialistët e mbledhur në atë sallë ku mbizotëronte një heshtje e fortë, që tregonte se askush nuk e dinte se çfarë po vinte. Nën zë u tha se tashmë nuk kemi një qeverisje politike të PS, por vetëm një qeveri teknike.

Në një intervistë për gazetën MAPO, deputeti Bashkim Fino nuk heziton të thotë se nuk është dakord me emërimet, por shton se kapiten i ekipit është Rama.

“Pa grupin parlamentar, qeveria “Rama2” nuk do të kishte jetë. Është grupi parlamentar që mban në jetë qeverinë “Rama2”, ashtu siç mbajti qeverinë “Rama1”, pra që do të thotë që të gjithë jemi pjesë e lojës. Bëra këtë krahasim për të thënë se mund të ishin edhe emra të ndryshëm për të konkurruar dhe për t’u bërë ministra. Por kjo është çështje e tij personale dhe i takon atij ta vendosë. Tani jemi në momentin që është bërë qeveria dhe po shohim si do të vejë puna e saj, dhe në bazë të kësaj do të gjykojmë,” paralajmëron Fino.

Një mesazh e ka deputeti i vjetër për Ramën në fund të intervistës, kur komenton duartrokitjet e Asamblesë së PS për Erion Braçen, që më shumë se vlerësim për figurën e tij dukeshin se ishin një çlirim se më në fund një socialist po vjen në qeveri.

“Unë do ta komentoj me një batutë shumë interesante. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë e PS-së, kur Rama prezantoi qeverinë e re, e gjithë Asambleja ishte në heshtje varri. Dhe, kur në fund tha zv.kryeministër do të jetë filani, pati një duartrokitje në sallë. Kjo duartrokitje erdhi instinktivisht, dhe ishte një duartrokitje zemre politike socialiste, të cilën Rama duhet ta lexojë mirë. Rama duhet ta lexojë vërtet mirë atë duartrokitje të Asamblesë Kombëtare të PS-së për zgjedhjen e Erjon Braçes si zv.kryeministër. Një zv.kryeministër i goditur, i vonuar, i ardhur në qeverinë Rama, ku duhej të ishte më përpara”, thotë Fino.