Kryesore Bashkimi Europian si Bashkimi Sovjetik?

Bashkimi Europian si Bashkimi Sovjetik?

| Nga Alexander Andreev
Shpërndaje

Politika e Bashkimit Europian të kujton praktikat e byrosë politike të ish-vendeve komuniste, dëgjohet nga qarqet populiste të djathta pak javë para zgjedhjeve europiane. Por a mund të krahasohet BE e Bashkimi Sovjetik?

Alexander Andreev*

Alexander Andreev

“Vitet e fundit kemi vënë re që Komisioni sillet si një byro politike”, tha së fundmi Laszlo Trocsanyi, ministër hungarez i Drejtësisë dhe kandidati kryesor i listës Fidesz për zgjedhjet europiane. Kujtojmë se, njeriu që bën krahasimin provokues në një intervistë me Frankfurter Allgemeine Zeitung, del në garë për t’u bërë vetë komisioner i BE. Edhe në Gjermani, politikanë të AfD-së bëjnë krahasime të tilla të BE me Bashkimin Sovjetik. “Centralizmi jodemokratik i ka dhënë BE-së emrin përkëdhelës BEBashkim Sovjetik“, ka thënë në nëntor 2018, kreu i grupit parlamentar të AfD-së, Alexander Gauland.

Çfarë do të thotë ky krahasim e pse nuk shkon ai?

BE është një bashkim sovran shtetesh, që janë bashkuar me vullnetin e tyre. Askush nuk i detyron këto shtete të qëndrojnë në BE, përkundrazi para derës presin kandidatë entuziastë. Asnjë shtet nuk do vërtet që ta lërë BE, duke lënë mënjanë këtu Britaninë e Madhe, popullsia e së cilës,- sipas sondazheve, ndërkohë do të qëndrojë në BE.

Ndërsa Bashkimi Sovjetik ishte një konstrukt imperial, i ardhur si rezultat i shumë luftërave. Në këtë shtet donin të ishin pjesë shumë pak shtete, po të mos llogarisësh përpjekjet përkatëse të kreut të partisë komuniste bullgare. Todor Zhivkov në vitet 60-të. Vendet që e braktisën të parat Bashkimin Sovjetik pas 1991-t duhet ta paguanin këtë me gjakderdhje dhe përpjekje për puç. E ato ende kanë frikë, që Rusia një ditë mund t’i fusë nën sqetullat e saj.

BE doli si mësim i luftërave të përgjakshme të shekullit të 20-të. BS lindi si rezultat i disa luftërave. Ky dallim nuk duhet harruar. E nga ky dallim mund të shpjegosh faktin, se Bashkimi Sovjetik zhvilloi disa luftëra të hapura e të fshehta, kreu puç në disa vende të tjera dhe instaloi regjime marionetë duke i pasur gjithmonë nën kontroll satelitët e tij në Europën Lindore. Ndërkohë që BE nuk është përgjegjëse për asnjë luftë apo përpjekje për puç ushtarak, nuk ka shtete satelitë, të cilave u përcakton fatin. BE nuk ka as ushtri.

BE është një hapësirë e shtetit ligjor dhe ligjit, Bashkimi Sovjetik një hapësirë e mungesës së ligjshmërisë dhe vend i arbitraritetit. Ligje ka pasur edhe në BS, po ato ishin vetëm për fasadë, sepse gjithçka vendosej nga  partia komuniste dhe organet e saj.

BE nuk ka shërbime sekrete

Pushteti në BS nuk ushtrohej vetëm nga partia. Pjesë e tij ishin shërbimet e frikshëm të sigurimit të shtetit me emra që ndërroheshin. Në BE nuk ka një parti që e ka pushtetin të vetëm. Shërbime sekrete të BE-së po ashtu nuk ka.

E si qëndron puna me lirinë? Këtu është e qartë si drita e diellit. Liria e mendimit, e ekonomisë, e lëvizjes, e vetëvendosjes, e fesë, e artit, liritë e pakicave – të gjitha këto liri (e të tjera më shumë) nuk ekzistonin në Bashkimin Sovjetik. E në BE ato janë aq të vetëkuptueshme, saqë, ne as nuk i dallojmë dot më.

E së fundmi, por jo e fundit: “it’s about the economy, stupid” – ekonomia. Si qëndron puna me mirëqenien ekonomike dhe shanset ekonomike për njerëzit? Në Bashkimin Sovjetik – kishim ekonomi të komanduar, trishtim prej mungesave të vazhdueshme të mallrave, varfëri e kudogjendur. Në BE – ekonomi tregu, larmi, mirëqenie, një jetë në dinjitet për këdo.

Tek e vërteta bën pjesë edhe një e përbashkët. Si BE edhe Bashkimi Sovjetik ishin/janë konfiguracione shumëkombëshe. Në këtë shumëkombësi është e vështirë të gjesh një “gjuhë të përbashkët” në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe figurativ. Prandaj gjuha e Brukselit të duket herë pas here e mërzitshme, e pangjyrë dhe pa emocion, saqë nganjëherë mund ta krahasosh me “gjuhën e vdekur” të Bashkimit Sovjetik.

Rruga e vështirë e konsensusit

Dhe ndoshta ngjashmëria më e madhe: konstrukte të tilla heterogjene politike është vështirë të qeverisen me instrumentet demokratike, që janë zhvilluar historikisht në shtetet kombëtare. Në Bashkimin Sovjetik ky problem “zgjidhej”, duke qeverisur me terror dhe diktaturë. Si një konstrukt i pushtetit të butë, BE përpiqet t’ia dalë në krye me kërkimin e konsesusit dhe vendimin e shumicës. Kjo nuk është e lehtë e nuk funksionon gjithmonë.

Edhe një paradoks në fund. Krahasimi BE-Bashkim Sovjetik është argumenti i dashur i stilit hibrid rus të luftës – sidomos në mediat sociale. Që do të thotë: ata që himnizojnë dhe duan të rivendosin Bashkimin Sovjetik, përpiqen që ta poshtërojnë BE duke thënë se i ngjan pikërisht Bashkimit Sovjetik.

*DW