Politika Bashkimi i Luginës së Preshevës, Cakaj: T’i mbështesim masivisht

Bashkimi i Luginës së Preshevës, Cakaj: T’i mbështesim masivisht

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka shprehur mbështetjen e tij ndaj partive politike që janë pjesë e listës së Luginës së Bashkuar.

Ministri Cakaj iu bëri thirrje shqiptarëve të mbështesin listën e Luginës së Bashkuar.

“Më tepër se kurdoherë tjetër, ruajtja e frymës së bashkëpunimit ndërpartiak e unitetit të brendshëm politik është e rëndësisë së patjetërsueshme në Luginën e Preshevës dhe jo vetëm” , theksoi Cakaj.

Kjo, sipas kryediplomatit Cakaj, përfshin edhe shmangien e çdo pengese, kërcënimi, apo fushate të pavërtetash nga partitë që kanë mendim ndryshe për këtë ndërmarrje, vetëm në të mirë të shqiptarëve.

Cakaj shprehu bindjen, se pavarësisht se ekzistojnë shumë parti shqiptare, në Luginën e Preshevës duhet të ketë vetëm një faktor politik shqiptar, me platformë të unifikuar, në shërbim të mbrojtjes e lartësimit të të drejtave të tyre kombëtare.

“Ndaj, ju lutem: mbështetja masive dhe e fuqishme e listës së Luginës së Bashkuar është skajshmërisht e rëndësishme nga të gjithë pa asnjë dallim. Kësaj radhe, sjellja e përgjegjshme politike e vetëdija e lartë kombëtare duhet të mbizotërojnë llogaritë e ngushta partiake”, tha ai.

Gjithashtu, ai shtoi se asgjë nuk përfundon me këtë ndërmarrje, pasi mbështetja e kësaj liste është thjesht pikëfillimi i një pune të përbashkët sistematike, për t’i trajtuar të gjitha çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës një e nga një.

“Ndaj, kësaj radhe me fort përgjegjësi politike: të gjithë në mbështetje të listës së Luginës së Bashkuar”, përfundoi Cakaj.