Politika Bashkimi i misioneve diplomatike Shqipëri-Kosovë, Rusia: Lëvizje provokuese

Bashkimi i misioneve diplomatike Shqipëri-Kosovë, Rusia: Lëvizje provokuese

Rusia është shprehur e shqetësuar për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkuar misionet e tyre diplomatike në vende të treta. Përmes një deklarate për mediat, ministria e Jashtme ruse e ka quajtur madje këtë një “hap provokues”.

“Hapat provokues të ndërmarrë nga Tirana dhe Prishtina, që janë në përputhje me konceptin e Shqipërisë së Madhe, kanë shkaktuar shqetësim serioz”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme të Rusisë.

“Duam të vëmë në dukje edhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian duke mos reaguar pas kësaj lëvizjeje e dëmshme, madje duke inkurajuar Shqipërinë e Madhe, që është e dëmshme për rajonin”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Cakaj, me homologun kosovar, Behgjet Pacolli, reagoi edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, e cila tha se lëvizje është bërë me qëllim, në kohën kur po zgjidheshin udhëheqësit e rinj të BE-së, pasi në këtë mënyrë nuk do të kishte reagim nga Brukseli.