Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj shkëmbimeve të fundit në rrjetet sociale mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke i cilësuar si një strategji mashtrimi për të mbuluar krizat e mazhorancës.
Berisha e cilësoi Ramën si një “kryemafioz” dhe “padrino”, duke e akuzuar për një strategji të ftohtë manipulimi për të ruajtur pushtetin e tij.
“Këto janë skenarë të sajuar për të larguar vëmendjen nga realiteti. Rama përpiqet të fshehë aktet e tij me shkëmbime idilike me Lul Bashën, me Lul Bravën dhe me Unikatilin. A thua se një komb i tërë duhet të merret me këto ‘lojëra’ dhe jo me të vërtetën e asaj që po ndodh në vend. Mos u çudit për këtë që them unë. Shko e pyet nëpër redaksi se si mirren në telefon redaksitë dhe u thuhet mos ma harroni këtë idilin e ri me Bravën. Po është e vërtetë ajo, sepse mendon se në këtë mënyrë po i mbulon këto akte. Gjakftohtësia ekstreme e një mafiozi, e padrinos, e një kryetari të organizatës kriminale, siç është Edi Rama”, deklaroi Berisha.