Sport Bayern i frikshëm në Itali, Chelsea befason Atleticon në Madrid

Bayern i frikshëm në Itali, Chelsea befason Atleticon në Madrid

Bayerni i Mynihut praktikisht në çerekfinale të Champions League. Kampionët në fuqi të kompeticionit, fituan thellë 1-4 në fushën e Lazios. Bardhekaltrit nuk mundën t’i bënin ballë furisë bavareze, me ndeshjen që u mbyll që në pjesën e parë. Lewandowski zhbllokoi takimin që në minutën e 9-të, ndërsa në të 24-tën dyfishoi 17-vjeçari Musiala, të cilit trajneri Flick i kishte rezervuar fanellën e titullarit. Në fundin e fraksionit të parë Sane i çoi shifrat në 0-3.

Sapo nisi pjesa e dytë, Bayerni e thelloi më tej diferencën falë autogolit të Acerbit, ndërsa golin e nderit për Lazion e realizoi Correa. Sfida e kthimit në “Allianz Arena” pritet të jetë formalitet për kampionët e Bundesligës.

Më një këmbë jashtë Championsit Atletico e Madridit, që u mposht 0-1 në “Wanda Metropolitano” nga Chelsea, falë golit të Giroud në minutën e 68-të. “Los Colchoneros e reflektuan edhe në këtë kompeticion formën e dobët që shfaqën në javët e fundit në La Liga.