Sport Bayern nuk ndalet, “luftë” Barcelonës për yllin holandez

Bayern nuk ndalet, “luftë” Barcelonës për yllin holandez

Bayern i Mynihut premtoi se do shpenzonte shifra të mëdha në tregun e futbollistëve për sezonin e ardhshëm dhe ka nisur ta realizojë premtimin pa ardhur vera, sepse fillimisht siguroi mbrojtësin Pavard dhe më pas edhe një tjetër kampion bote, Lucas Herandez, duke vendosur rekordin e ri të Bundesligës, me 80 milionë euro paguar Atletico Madridit.

Me këto dy blerje, mbrojtja e Bayern-it kompletohet dhe rinovohet tërësisht, pasi bëhet fjalë për dy lojtarë shumë të rinj në moshë, por duket se gjigantët gjermanë nuk ngopen me kaq, sepse duan edhe qendërmbrojtësin e Ajax-it dhe Holandës, Matthijs de Ligt.

De Ligt është kthyer në objektivin kryesor të Barcelonës, që kur klubi katalan bleu Frankie de Jong nga Ajax për 75 milionë euro, por në rastin e De Ligt konkurrenca është e egër, sepse janë në garë edhe Manchester City e Real Madrid, veç Bayern.

Ende pa mbushur 20 vjeç, De Ligt do të transferohet në një klub të madh në verë dhe sipas të përditshmes ‘Sport’, Bayern është futur fuqishëm në garë.

Blerja e holandezit duket e çuditshme, duke parë sa shumë mbrojtës ka Bayern, por nuk duhet harruar se Pavard luan edhe në të djathtë të mbrojtjes, Hernandez në të majtë dhe nga qendërmbrojtësit aktualë, Mats Hummels e Jerome Boateng duken të panevojshëm për klubin, që mendon të përfitojë diçka nga shitja e tyre.

De Light kushton të paktën 70 milionë euro, ankandi ka nisur.