Ekonomi BB: Ja përse kemi besim tek Shqipëria

BB: Ja përse kemi besim tek Shqipëria

Bordi i Bankës Botërore, në Uashington, vendosi të martën që të aprovojë një hua prej 70 milionë eurosh për Shqipërinë, para që do të përdoren për të financuar një sëre projektesh që do të përmirësojnë klimën e biznesit në Shqipëri.

Vendimi i marrë nga drejtuesit më të lartë të Bankës Botërore është shprehje e besimit të rigjetur tek ekonomia shqiptare, pasi Shqipëria ka përmbushur të gjithë objektivat përparësore të vendosur nga BB, FMN dhe partnerët e tjerë kyç gjatë këtij mandati qeverisës.

Këto janë arsyet përse Banka Botërore vendosi të mbështesë sërish Shqipërinë:

Banka Botërore vlerëson vendosjen nën kontroll të financave shtetërore, reduktimin e borxhit publik dhe të defiçitit buxhetor.

Banka Botërore vlerësoi Shqipërinë si kurrë më parë në renditjen e saj të “Doing Business 2017”, ku vendi renditet i 58-ti mes 190 vendeve, pozicionimi më i mirë historik ose 32 vende më lart se një vit më parë.

Banka Botërore vlerësoi mbylljen me sukses të misionit të parë të FMN-së në Tiranë, një mision të konsideruar si historik për nga roli që luajti në një moment dramatik, ku shteti rrezikonte në 2013-n kolapsin financiar.

Banka Botërore ka shprehur më parë vlerësimin më të lartë për reformat themelore, si ajo e energjisë, e pensioneve dhe ajo e luftës kundër informalitetetit, që sipas saj shpëtuan vendin nga kolapsi i sigurt. Vetë Banka Botërore ka thënë më parë se “nuk e besonte që shteti shqiptar mund të ishte kaq i suksesshëm në reformën e energjisë, pasi për 25 vite ishim mësuar me premtime, por asgjë nuk ndryshonte”.

Vlerësimi i Bankës Botërore vjen gjithashtu pasi në 2016-n, Shqipëria regjistroi një rritje ekonomike prej 3,4%, më e larta në shtatë vjet dhe niveli i rritjes është në përshpejtim.

Investimet e huaja direkte në Shqipëri, në vitin 2013 shënuan një rekord, duke kaluar vlerën e 1 miliard eurove, e duke qenë në nivelin e 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në rajon, Shqipëria është e dyta për përthithjen e investimeve direkte, pas Malit të Zi.