Kryesore BE fonde të tjera përveç 15 mln euro/ Rama: Konferencë e madhe...

BE fonde të tjera përveç 15 mln euro/ Rama: Konferencë e madhe e donatorëve të NATO-s

Duke folur në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se, “dje në Samitin e NATO-s i kam bërë të gjitha bisedat e nevojshme dhe përsa i përket fazës së parë të gjithë janë gati. Nga një vlerësim i shpejtë që bëmë së bashku me Oltën, Gentin dhe Endrin, pas bisedave absolutisht të gjithë ata që janë në nevojë për një çadër dimërore janë të mbuluar, është thjesht çështje kohe për të bërë transportin. E gjithë pjesa e fazës së përkohshme e tranzicionit nga rrënoja nga banesa e re është e garantuar.

Rama tha se kanë vazhduar donacionet. “Këtu vijmë tek pjesa e rindërtimit së pari në raport me partnerët. KE ka dedikuar një fond të menjëhershëm 15 milionë euro nga portofoli i Komisionerit që mori stafetën nga Komisioneri Hahn për Fqinjësinë. Është vetëm një transh i parë i emergjencës që është dhënë duke kapërcyer të gjitha proceset burokratike në Komision dhe nuk është kjo ndihma financiare e BE-së që të jemi të qartë sepse menjëherë u hodhën përpjetë spektatorët që iu shërbejnë telespektatorëve duke folur si gjithmonë marrëzira.

BE-ja, KE, po punon intensivisht me ne edhe për dy mekanizma të tjerë së pari për t’iu përgjigjur kërkesës për të rialokuar të gjitha fondet IPA në këtë drejtim, për rindërtimin. Fondet IPA të destinuara apo të planifikuara. Ato që janë në proces apo ato që prezumohen se do të vijnë se janë të dedikuara për Shqipërinë në një transh. Dhe tjetra mekanizimi i solidaritetit për raste emergjencash natyrore i BE. Mirëpo nëse për të parin duhet të jesh në një proces politik brenda BE. Për të dytin priten të gjithë të dhënat. Pa të dhëna kjo s’ka si të bëhet. Të dhënat po mblidhen intensivisht edhe me ndihmën e KE”, tha Rama.

Ndërkohë, shtoi Kryeministri, “dje e ka konfirmuar në bisedë me mua presidentja e KE atë që u kam kërkuar gjatë gjithë ditës edhe parmbrëmë gjithë liderëve të NATO-s Konferencën e madhe të donatorëve. Konferenca e madhe e donatorëve është një sukses, po të doni vëreni edhe në thonjëza, sepse krijon premisën për një qasje shtet me shtet në raport me Shqipërinë. Pra është një instrument ekstra mbi të gjithë instrumentet e tjerë të financimit dhe me një potencial të konsiderueshëm”.

Ashtu sikundër, theksoi kreu i qeverisë, “me Presidentin e Turqisë do të jemi të dielën në konferencën e madhe të investitorëve në Stamboll, të besimit mysliman. Të cilëve do t’i adresojmë një mesazh të veçantë. Është hapur një panel i veçantë për këtë çështje”.

Njëkohësisht nënvizoi Rama, “po vijojmë edhe në drejtim të vendeve të tjera të rajonit lindor”.

“Kështu që unë jam, optimist se do të kemi një mbështetje të konsiderueshme në raport me nevojën. Sidoqoftë ne do vazhdojmë punën edhe për financimin njësoj sikur të mos kishim asnjë lekë nga askush. Skenari i përgatitur nga ministria e Financave në bashkëpunim me kryetarin e Komitetin Kombëtar për Rindërtimin praktikisht do të jetë program i veçantë në buxhetin e shtetit. Është ndërtuar që gjërat të bëhen pavarësisht sa fonde do të vijnë nga jashtë, zëre se nuk do të vijë asnjë lek dhe në proces do të axhustohen numrat nga mekanizmat në varësi nga nevojat apo në varësi nga fondet që vijnë”, tha Rama.