Bota BE: Lufta kundër ndryshimeve klimatike vijon edhe pa Amerikën

BE: Lufta kundër ndryshimeve klimatike vijon edhe pa Amerikën

Bashkimi Europian reagon me keqardhje për vendimin e Amerikës për t’u tërhequr nga Pakti i Parisit për Klimën.

Brukseli thotë se lufta kundër ndryshimeve klimatike do të vazhdojë edhe pa Shtetet e Bashkuara.

“Pritëm me keqardhje njoftimin e Shteteve të Bashkuara për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit. Punuam krah për krah me miqtë tanë amerikanë për të ndërtuar Paktin e Parisit në 2015, i cili tani është në fuqi dhe bën bashkë 194 shtete. Edhe pa një ndër ndotësit më të mëdhenj me gaz karboni, bota do të vazhdojë të përdorë Ujdinë e Parisit për të reduktuar ndotjen që po sjell një ndikim negativ për planetin”, tha Mina Andreva, zëdhënëse e Komisionit Europian.

Tërheqja amerikane nga marrëveshja do të hyjë në fuqi më 4 nëntor 2020, një ditë pas zgjedhjeve presidenciale, ku Donald Trump do të përpiqet të marrë një mandat të dytë.