Kryesore BE mund të ndjekë politikën e SHBA me politikanët nga “non grata”...

BE mund të ndjekë politikën e SHBA me politikanët nga “non grata” në Ballkanin Perëndimor

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë në Bruksel më 15 nëntor për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Një çështje që ka ngjallur diskutime mes ambasadorëve të shteteve anëtare në mbledhjen e së martës është iniciativa e Gjermanisë që ashtu si SHBA-të edhe BE të veprojë me sanksione dhe shpallje politikanësh si të padëshiruar duke nisur me fajtorët kryesorë për krizën politike dhe të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë. Sipas raportit të Përfaqësuesit të Lartë evropian ne Sarajeve Christian Schmidt, kjo vendimmarrje e re do t’i referohet në radhë të parë Milorad Dodik, por edhe të gjithë atyre individëve dhe kompanive që mbështesin financiarisht politikat destruktive në rajon.

Duke qenë se është e vështirë të pritet një konsensus i të gjithë anëtarëve të Bashkimit Europian, opsioni më i mundshëm prej kohësh ka qenë ai që shtetet të vendosin individualisht sanksione dhe të shpallin politikanë të padëshiruar nga Ballkani Perëndimor.

Është e qartë se sanksionet do të vendosen në radhë të parë nga Shtetet e Bashkuara dhe se Mbretëria e Bashkuar do të jetë e para që do t’i ndjekë ato. Megjithatë, ka gjithnjë e më shumë gjasa që edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian mund të marrin këtë rrugë. Gjermania është ajo që ka nisur këtë proces dhe se çfarë konkluzionesh do të vijojnë duhet të jenë më të qarta në mesin e muajit nëntor, kur ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë situatën në Ballkanin Perëndimor. Ajo që është e qartë është se çdo hap do të negociohet në detaje me Shtetet e Bashkuara. Brukselin e ka vizituar edhe diplomati amerikan James O’Brien, përgjegjës për procesin e sanksioneve dhe shpalljen e politikanëve të huaj si të padëshiruar.