Aktualitet BE si magnet dhe bashkëpunimi si fjalëkalim për Ballkanin

BE si magnet dhe bashkëpunimi si fjalëkalim për Ballkanin

Nga Majlinda Bregu*

Më pak se 3 muaj më parë, rajoni u angazhua dhe nënshkroi marrëveshjen që po e çon Ballkanin Perëndimor në një zonë pa roaming, njësoj si me moton “Fol si në shtëpi” të Bashkimit Evropian. Dje kjo gjë u bë realitet – qytetarët tanë do të flasin, shfletojnë, dërgojnë sms më shumë dhe do të paguajnë më pa;, dhe për më tepër, për dy vjet nuk do të ketë kosto për roaming, kur të udhëtojnë në rajon dhe do të ketë kosto shumë më të ulëta kur të jenë duke udhëtuar në vende të BE-së. Kjo gjë nuk na erdhi dhuratë. U desh shumë mund. Kishim përpara shumë punë dhe shumë pak kohë.

E gjitha kjo ka të bëjë me pritshmëritë realiste, me vendosmërinë, forcën dhe vullnetin që vjen nga rajoni dhe me mbështetjen e sinqertë nga liderët europianë.

Ndaj, pritshmëritë tona nga Samiti i Poznanit,- i cili është një nga samitet e Procesit të Berlinit të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë filluar disa vjet më parë me nismën e qeverisë gjermane, – janë shumë të mëdha. Një nga këto samite, për të qenë e saktë samiti i Triestes i vitit 2017 , solli edhe miratimin e Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale (MAP REA), pjesë e së cilës është Marrëveshja e re Rajonale për Roaming!

Por MAP REA nuk është vetëm Roaming. Procesi i Berlinit ka nxitur shumë nisma të mira.

Rajoni ka bërë një rrugë të gjatë në përgatitjen e bazave për njohjen reciproke të kualifikimeve akademike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke krijuar kështu hapësirë për lëvizjen e njerëzve të kualifikuar për të kërkuar punë, thjesht dhe shpejt; përafrimin e politikave kombëtare të investimeve me Agjendën e Politikave Rajonale të Investimeve (RIRA), me një skicë të përbashkët të planit kuadër për të promovuar rajonin si destinacion mikpritës për investime, pasi Ballkani Perëndimor ka nevojë për një sërë reformash të brendshme, ka nevojë të marrë pronësinë për reformat drejt BE-së dhe bashkëpunimin rajonal për t’u bërë më tërheqës për Investimet e Huaja Direkte (IHD).

Rajoni ka nevojë për zhvillimin i një plani për integrimin e mëtejshëm të romëve, duke përmirësuar jetën e tyre, duke u marrë me nevojat elementare njerëzore: strehimin, punësimin, arsimimin, shëndetësinë, regjistrimin në gjendjen civile.

Integrimi digjital ka ecur përpara në shumë fusha – vijon puna për samitet digjitale rajonale (po përgatitemi për edicionin e tretë në Tiranë për vitin e ardhshëm, pas 2 samiteve të suksesshëm në Shkup në Beograd); vijon puna e përbashkët për çështjet e sigurisë në kibernetikë, politikat e brezit të gjerë (broadband-it) etj.

Ne i detyrohemi qytetarëve, qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që jetojnë këtu dhe dëshirojnë të qëndrojnë këtu – kështu që ne duhet të bëjmë shumë, të tejkalojmë vetveten për ta bërë rajonin destinacionin e dëshiruar. Edicioni më i fundit i anketës së opinionit publik dhe të biznesit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Balkan Barometer 2019, tregon atë që njerëzit duan: ata duan punë – 60% e tyre janë të shqetësuar për papunësinë, por gjithashtu ata shqetësohen për korrupsionin dhe ikjen e forcës së kualifikuar të punës, gjithnjë e më alarmues; 39% po mendojnë largimin nga rajoni për të kërkuar punë jashtë vendit. Nga ana tjetër, njerëzit besojnë në përfitimet nga bashkëpunimi rajonal (74%) dhe integrimi evropian (56% – më shumë se gjysma e popullsisë, e cila është hera e parë në 5 edicionet e Balkan Barometer, sidomos rasti me të rinjtë 61%) . Sipërmarrësit janë edhe më të zëshëm me mesazhet e tyre: 70% e tyre janë të kënaqur me heqjen e tarifave të roamingut sepse i ndihmon bizneset e tyre; 67% e vlerësojnë bashkëpunimin rajonal si të dobishëm dhe 64% mendojnë po kështu për anëtarësimin në BE.

Thënë gjithë këto, ka ende shumë “dhimbje koke” dhe mosmarrëveshje në rajon. Por sinqerisht askush nuk ishte aq naiv sa të besonte se në më pak se tre vjet jetë të REA-s (Zonës Ekonomike Rajonale) interesat do të përputheshin si me magji. Mënyra se si unë shoh sot REA -n është më shumë se një seri “shinash”, (e vërtetë, jo të gjitha të vendosura drejt dhe të qëndrueshme), me hapësira për ide të reja, por më së shumti e shoh si një model të vetëdijes që bashkëpunimi rajonal është në interesin tonë më të mirë. Vlerat e përbashkëta dhe interesat e përbashkëta duhet shumë shpejt të përkthehen në pronësi dhe në gatishmëri më të madhe për të bashkëpunuar në heqjen e barrierave ekzistuese për bashkëpunimin rajonal. Tek e fundit, lidhjet që na “lidhin” janë më të forta se zgjedhjet individuale që na ndajnë.

Në përfundim- më 1 korrik, u arrit reduktimi i roamingut. Më 4 korrik, Samiti i Ballkanit Perëndimor në Poznan do të nisë punë. BE është një magnet, ndërsa bashkëpunimi rajonal po bëhet një model i qëndrueshëm. Për të ardhmen tonë, le të shohim në të shkuarën, sepse e keqja është ende një kërcënim! Por REA ka një status të qartë me bashkësinë në thelbin e vet. Le t’i japim REA dhe bashkëpunimit rajonal forcën një pajtim të qëndrueshëm e afatgjatë të Ballkanit Perëndimor! Përmes ekonomisë, le të heqim barrierat që ende i kemi!

*Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal