Kosova BE, thirrje Kosovës e Serbisë të ulin tensionet

BE, thirrje Kosovës e Serbisë të ulin tensionet

BE kërkon që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet e shkallëzuara së fundmi nga “reciprociteti i targave”. Për këtë Brukseli ka angazhuar të dërguarin e posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili pritet të flasë me udhëheqësit e dy vendeve.

Kjo u bë me dije nga zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano.

“Jemi duke vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj liria e lëvizjes është një kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe të reduktojnë tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë,” – tha zëdhënësi i BE-së.

“Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tashmë ka arritur në Beograd dhe në takimin me presidentin Vuçiç, këtë pasdite, do ta adresojë situatën dhe pas disa orëve ai do të flasë edhe me lidershipin politik të Kosovës për të adresuar këtë çështje,” – vijoi Stano.

Kosova vendosi sot “reciprocitet” për sa i përket qarkullimit të automjeteve serbe në territorin e saj. Ajo i detyron serbët që kundrejt një tarife prej 5 euro të pajisen me targa të përkohshme të Kosovës gjatë kalimit apo qëndrimit në Kosovë.

Një politikë e ngjashme aplikohet nga Serbia për qytetarët nga Kosova.