Kryesore Begaj: 8 Dhjetori mbetet aspirata e një kombi për ta bërë Shqipërinë...

Begaj: 8 Dhjetori mbetet aspirata e një kombi për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa

Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar studentët e Dhjetorit të vitit 1990.

Përmes një postimi në Facebook, Presidenti Begaj shkruan se 8 Dhjetori festohet si “Dita Kombëtare e Rinisë” duke shprehur në këtë mënyrë mirënjohjen ndaj studentëve dhe të rinjve të asaj kohe.

Presidenti Begaj shton se 8 Dhjetori është ëndrra e një brezi shprehur në thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por mbetet edhe aspirata e një kombi për ta bërë “Shqipërinë si gjithë Europa”.

“8 Dhjetori i 32 viteve më parë i studentëve të Tiranës, do të ndante përfundimisht në historinë e shtetit shqiptar dy epoka.

Ai Dhjetor, do të ishte i fundmi Dhjetor i pushtetit komunist, për të mbetur në histori edhe dhjetori i parë i lirisë në pluralizëm politik, për të mbetur përjetësisht edhe dhjetori që ndezi shpresën për demokracisë.

Ndaj, një popull që kishte përballuar aq e aq shumë sakrifica dhe pamundësi, mbushi sheshet e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, përmes thirrjes studentore: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”

Largpamësia dhe mençuria vizionare e studentëve shqiptarë të atij brezi, bëri bashkë menjëherë punëtorët dhe intelektualët, pedagogët dhe shkencëtarët, bëri me vete gjithë popullin shqiptar, i cili pa asnjë mëdyshje, por me bindje dhe vullnet patriotik përcaktoi edhe rrugën e të ardhmes së tij.

Eshtë pikërisht kjo arsyeja se pse 8 Dhjetorin e nderojmë dhe e festojmë si Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shprehur në këtë mënyrë sa mirënjohjen ndaj studentëve dhe të rinjve të asaj kohe, edhe përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj rinisë shqiptare në çdo kohë.

Mesazhi i kësaj dite është amanet, është mision, është detyrim dhe përgjegjësi.

Idealet e studentëve të Dhjetorit 1990 duhet të na frymëzojnë gjithnjë për të punuar me përgjegjësi, me seriozitet dhe përkushtim, në mënyrë që të vazhdojmë pa ndalur rrugën tonë të integrimit euroatlantik.

8 Dhjetori është ëndrra e një brezi shprehur në thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por mbetet edhe aspirata e një kombi për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”, ka shkruar presidenti Begaj.