Bota “Bëj fëmijë të mos paguash kredi”: Plani i Hungarisë për të shtuar...

“Bëj fëmijë të mos paguash kredi”: Plani i Hungarisë për të shtuar popullsinë dhe ndaluar emigrimin

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka lajmëruar përfitime tatimore dhe subvencione për të inkurajuar familjet që të bëjnë më shumë fëmijë.

Ai tha se politika synon të krijojë më shumë hungarezë  në vend që të mbush këtë hendek në popullsi nëpërmjet emigrimit, diçka që bën Bashkimi Europian.

Kryeministri, që është kundërshtues i emigrimit, lajmëroi se Qeveria do të ofrojë ndihma financiare dhe subvencione për të shtuar normën e lindjes.

Viktor Orban tha në fjalimin vjetor për “Gjëndjen e Kombit” se kjo politikë është përgjigja e Hungrisë ndaj rënies së popullsisë, gjë që përjashton emigrimin.

“Numri i fëmijëve në Europë është në rënie të vazhdueshme. Për perëndimin, përgjigja ndaj kësaj sfide është emigrimit. Por ne nuk kërkojmë thjesht shifra, ne duam fëmijë hungarezë”, tha Orban.

Në vitin 2016, norma e lindjeve në Hungari qëndroi në 1.45 lindje për grua.

Programi me 7 pika përfshin një kredi prej 35,500 dollarë për gratë nën 40 vjeç që martohen për herë të parë.

Një e treta e kredisë do të falet pas fëmijës së dytë dhe e gjithë shuma e kredisë do të zerohet pas fëmijës së tretë.

Një tjetër pikë e programit do të ofrojë përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat për çdo grua që ka 4+ fëmijë.

Masat e reja do të ofrojnë gjithashtu subvencione ndaj famijleve në varësi të numrit të fëmijëve që kanë si dhe mbështetje shtetërore për blerjen e çdo makine me 7 vende.

Orban kritikoi gjithashtu Bashkimin  Europian përpara zgjedhjeve në muajin Maj. “Brukseli është fortesa e internacionalizmit të ri dhe mjeti që po përdor është emigrimi”, tha Orban.