Opinione Bëjeni Lulzimin të madh përsëri!

Bëjeni Lulzimin të madh përsëri!

Të gjithë demokratët ndjeheshin pak në siklet që Aleanca Kuq e Zi i ishte bashkuar kauzës së tyre, duke u turbulluar kujtesën dhe duke u prishur seriozitetin. Por e keqja nuk paska fund. Tani PD duket se po bëhet një bisht qesharak i AK.

Gazeta zyrtare e PD, në përpjekje për të krijuar idenë e një “Republike” të re të Bashës, ka shpikur “Shqipërinë e Madhe”.

Nuk ja vlen ta marrim seriozisht e ta quajmë tezë serbe, shoviniste etj. Kjo do ishte tepër. Nuk ja vlen as t’u themi idiotë, se nuk është se kuptojnë çfarë kanë shkruar. Por vlen të themi se Lulzim Basha është në krizë për t’i gjetur një identitet politik lëvizjes së tij, për t’i ikur zgjedhjeve dhe Veting­ut.

Fillimisht shpresoi si populist, se protesta e 18 shkurtit do t’i jepte zemër dhe ai do t’ia arrinte të përmbyste qeverinë. Dhjetë ditë më pas, në tavolinën e çadrës janë vetëm 20 djem që luajnë domino, derisa vjen Basha e lexon fjalimet që nuk ngjajnë asnjë ditë me tjetrin. Fillimisht e nisi si populist paqësor, duke imituar liderët paqësorë misionarë. Pas dy ditësh e humbi qetësinë dhe filloi të flasë për skenarë dhune. Ditën e katërt shpërtheu me thirrjet për luftë, me shpresë se njerëzit do provokoheshin, kundërshtarët do frikësoheshin dhe ai do triumfonte.

Për fatin e keq të tij, e morën të gjithë me të qeshur dhe vazhdojnë qeshin akoma. Pastaj erdhën reagimet ndërkombëtare kundër tij dhe ai tentoi të marrë poza izolacionisti. Sulmoi ambasadorët e perëndimit dhe thirrjet zyrtare të BE, duke i kërkuar Fatmir Mediut t’i recitojë disa emra kongresmenësh që ai mban mend, dhe t’i fuste në listë në çadër. Së fundmi duket se po tenton të bëjë nacionalistin.

Pas një incidenti banal, ku një berishist ka rrahur Kreshnik Spahiun, duke menduar se është akoma kundër Doktorit, Basha po e mendon seriozisht se identiteti i ri i protestës do të jetë nacionalizmi. Duke kopjuar trashë sloganin e Trump, ai ka shpikur një Republikë të re, MAGA, e cila, sipas tij, do ta bëjë sërish Shqipërinë të “Madhe”.

Thashë që nuk duhet marrë seriozisht, e të klasifikohet si një tezë e kundërshtarëve të egër të Shqipërisë në Ballkan, por si një krizë vlerash dhe identiteti, i njeriut që po tenton të prodhojë një identitet politik nën çadër. Problemi i tij i madh është në fakt se do të bëhet sërish i madh vetë.

Do të bëhet dhe një herë ministër Transporti, dhe të bëjë gjëma si ajo e 220 milionë eurove, do të bëhet dhe një herë ministër i Jashtëm dhe të bëjë gjëma si ajo e faljes së detit Greqisë, do të bëhet dhe një herë ministër i Brendshëm dhe të bëjë gjëma si vrasja e katër qytetarëve në bulevard. Kryetar bashkie nuk besoj se do më, se duket i ngopur me gjumë.

Por rruga për t’u bërë sërish i madh qenka pak e koklavitur, kur do ta çash vetë. Hera e parë qe ndryshe. Me disa buzëqeshje të lehta korridoreve të UNMIK, i fitoi besimin vajzës së kryetarit dhe u katapultua në Tiranë, duke u bërë i madh. Tani duhet ta nis vetë rrugën për t’u bërë i madh. Një miku im kishte vërejtur një detaj shumë interesant, ndërsa ky shpërtheu papritur duke përsëritur shprehjen e famshme “Luftë doni, luftë do të keni”.

Ai kishte parë fytyrën e Aurelës, gruas së tij, shtetase holandeze, që fare papritur kishte ndryshuar dhe ishte kthyer shikonte burrin në sy, nëse e kishte vërtetë. Është një detaj që tregon se ai po eksperimenton me veten për të bërë diçka. E ka seriozisht që do të bëhet i madh përsëri, por problemi është se këtë radhë duhet bërë vetë. Herën e parë e bënë të tjerë dhe ky erdhi me lugë ne brez.

Tani në vend të lugës në brez, ka vënë llastiqe, gjilpëra makinash, çekiçë për xhama dhe doreza boksi, por askush nuk po e merr seriozisht. Në atë parti fjalori i dhunës ka pas emocione të tjera. Berisha kur bënte thirrje për dhunë dhe kërcënonte, thoshte “Do t’u përmbys me buldozerë”, “Do t’u vë tritolin” “Do t’u djeg si miu në zyra” etj. Fjalori i Lulzimit është fjalor i “çunave të mamit” që shahen poshtë pallatit dhe më së shumti shkakton të qeshura. E vetmja gjë që kuptohet mes rreshtave në ato fjali është përgjërimi: “Bëjeni Lulzimin të madh përsëri”, që ngjan si një thirrje e dëshpëruar.

Nuk ka kush ta bëjë. Brenda dhjetë ditësh kemi njohur dhjetë Lulzima. I fundit ngjante me Kreshnikun. Por më budalla!/Tema