Aktualitet Berisha akuza Spiropalit: Yt shoq i jep tenderin vëllait tënd, nuk ka...

Berisha akuza Spiropalit: Yt shoq i jep tenderin vëllait tënd, nuk ka vjedhje më të madhe se kjo

Në seancën plenare të ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë, kreu i PD-së Sali Berisha dhe ministrja Elisa Spiropali kanë shkëmbyer replika mes tyre.

Gjatë fjalës së tij në foltoren e Parlamentit, Berisha ka hedhur akuza ndaj Spiropalit duke i thënë se sa herë që të dalë, do të denoncojë çdo aferë që sipas ish-Kryeministrit ka kryer ministrja.

Sali Berisha: Tenderat e ujësjellësave i merrte burri i kësaj zonjës 5 milionëshe, ia jepte vëllait të saj në mënyrë që të shtoheshin milionat dhe përveç kësaj, zonja që u pasurua aq shumë në dogana saqë kudo ta prekësh, para nxjerr, burrin e çoi nga ujësjellësi në tenderat e KESH-it apo të OST-së dhe aty përsëri kushëriri, pra nëse ka një burrë dhe një grua që kanë lumturuar njëri-tjetrin me para publike, janë çifti Spiropali-Toto. Ndaj dhe sa herë të dalësh, unë do të nxjerr çdo aferë që ke ti sepse në këtë platformë denoncimi i vjedhjeve që bëni është detyrë kryesore e imja dhe e opozitarëve. Edhe njëherë, yt shoq i jep tenderin vëllait tënd, nuk ka vjedhje më të madhe ditën për diell se kjo. Do të të them dhe tenderin. Ja ku e ke. 

Nga ana tjetër, Spiropali i është përgjigjur Berishës duke i thënë se nuk intimidohet nga asgjë dhe i ka bërë thirrje që të shkojë në SPAK për çdo deklaratë që nxjerr.

Elisa Spiropali: Lexoi artikullin e një portali që e ka financuar vetë më paratë e të vdekurve në Gërdec. Unë e njoh vëllain tim, sa e ka rrogën vëllai im, e njoh bashkëshortin tim. Njoh kunatën time, nuk jam nga ata që nuk njohin baxhanakët. Një cent të qytetarëve shqiptarëve nuk e kanë përfituar njerëzit e mi. Çfarë mund të thuash për të tutë Sali? Mua nuk ma bën syri tërr, as për ata që thua ti këtu. Unë nuk intimidohem dhe nuk kam për t’u intimiduar. Po të bëj thirrje të shkosh në SPAK, po ashtu i bëj thirrje dhe këtyre institucioneve për ty dhe familjarët e tu sepse historia të del ndryshe. Kjo betejë është me një Shqipëri Evropiane dhe të drejtë që ty të ka lënë pas dhe ti nuk të ia zësh më rrugën.