Politika Berisha: Basha dhe “Alibasha” pengje të neveritshme, i përkasin turpit të historisë

Berisha: Basha dhe “Alibasha” pengje të neveritshme, i përkasin turpit të historisë

Nga Kavaja ku edhe prezantoi kandidatin për Partinë Demokratike, Fisnik Qosen, kryedemokrati Sali Berisha akuzat i hodhi sërish drejt Enkelejd Alibeajt dhe Lulzim Bashës për të cilët tha se janë “pengje të neveritshme” të Kryeministrit Rama.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se Rama i ka përdorur ata për t’i dhënë një goditje fatale PD-së teksa shtoi se ai dhe “Alibashat dhe bravat” i përkasin turpit të historisë.

“Lulzim Basha, Alibasha janë pengje të neveritshme të një armiku të demokracisë dhe të qenies dhe shqiptarëve. Rama përdori këto pengje për t’i dhënë sipas tij një goditje fatale PD-së, por ai dhe “bravat dhe Alibashat” i përkasin turpit të historisë. Zgjidhja është për PD-në me demokracinë, me Kavajën, me Shqipërinë”, tha Berisha.

Kryetari i PD-së, Berisha premtoi se sa të jetë PD-ja në pushtet, qëllimi kryesor i saj do të jetë rritja e rrogave dhe pensioneve.

“Ju garantoj se sa të jetë në pushtet PD-ja, rritja dhe vetëm rritja e rrogave dhe pensioneve do të jetë qëllimi i saj më i parë. Mbështeteni këtë revolucion sepse sot Shqipëria ka nevojë për mbështetjen tuaj. I ftoj të rinjtë të bëhen fytyra e këtij revolucioni, trokisni në çdo derë sepse fjala juaj është lutja më e mirë për ta”, tha Berisha.