Politika Berisha: Beteja nuk bëhet për zyrat, por për raportin shumicë-pakicë. Basha shpiku...

Berisha: Beteja nuk bëhet për zyrat, por për raportin shumicë-pakicë. Basha shpiku si Enveri derën e kryetarit

“Keqësia, ligësia dhe amoraliteti politik i Bashës nuk ka fund dhe nuk njeh kufij”. Kështu u shpreh Sali Berisha për Lulzim Bashën këtë të enjte nga Gjirokastra.

Ai tha se situata aktuale në PD nuk është çështje zyrash, por bëhet vetëm për parimin themelor të demokracisë, raportin shumicë-pakicë.

“Siç thotë një fjalë e popullit “e keqja nuk ka fund”. Dhe ajo që po shohim të gjithë së bashku këto tre muaj dëshmon se keqësia dhe ligësia, amoraliteti politik i njeriut për të cilin punuam aq shumë, i njeriut të cilin e mbështetëm me ndershmërinë më të madhe nuk paskan fund dhe nuk njohin asnjë kufi. Miqtë e mi kjo që zhvillohet këto ditë, këto javë, unë i bëj thirrje mençurisë suaj, u bëj thirrje mençurisë së qytetarëve shqiptarë që të mos mashtrohen. Nuk është çështje zyrash. Absolutisht jo. Nuk është çështje personash. Absolutisht jo. Ata që duan t’jua paraqesin si çështje zyrash dhe personash ata janë avokatë, janë mercenarë të antivlerave.

Çështja dhe beteja që po zhvillohet është një dhe vetëm një, për parimin më themelor të demokracisë, a do të vendosë shumica? A do të qeverisë shumica dhe të respektojë pakicën apo do të qeverisë pakica me dhunë mbi shumicën. Kjo është e vërteta. Kjo e çon demokracinë para alternativës shekspiriane “to be or not to be”, “të jesh apo të mos jesh”. Nuk është çështje zyrash. Por një njeri i cili duke shkelur çdo standard të moralit njerëzor dorëzon sovranitetin, kryen akte historike pabesie, ky njeri nuk do kurrsesi që të pranojë verdiktin tuaj, por jo të kësaj salle, por të 44 mijë anëtarëve të PD-së.

Ky njeri i cili dy muaj më parë na thoshte se mua nuk më shkarkon Kuvendi për arsye se më kanë votuar anëtarët, tani që kanë votuar 44 mijë anëtarë, 10 mijë më shumë se sa në Qershor, përsëri thotë se unë nuk i njoh. Ky njeri kërkon t’u paraqesë ju dhe shqiptarëve 2 mijë persona të mbledhur në një sallë për 5400 delegatë. Pra e shihni. Këtu nuk kemi të bëjmë as me zyrë, as me karrige. Kemi të bëjmë me një parim themelor kush do vendosë. Do vendosë shumica dhe do pranojë pakica, do vendosë shumica dhe do i japë mundësi pakicës që të shprehet lirisht siç i kemi dhënë në statutin tonë me nenin për fraksionet, apo kjo pakicë do përdorë dhunën, do përdorë bandat, do përdorë narkoshtetin për të dominuar mbi shumicën”, tha Berisha.