Një dukuri e çuditshme për opozitën u vu re të enjten në mbrëmje.
Ndërsa Lulzim Basha nga emisioni “Opinion” i mbrëmjes që u zhvendos në çadrat e protestës së opozitës theksoi edhe njëherë se nuk do të ketë zgjedhje pa një zgjidhje, duke qenë i qartë në vendimin e tij që nëse Edi Rama nuk tërhiqet, që nëse nuk i hapet rrugë një qeverie teknike, PD nuk do të jetë prezente në garën e 18 qershorit, një gjë e kundërtë ndodhte paralelisht në studion e Ylli Rakipit në emisioni “Të paekspozuarit”.
E futuar aty, Jozefina Topalli, e mohoi kategorikisht mospjesemarrjen në zgjedhje duke e quajtur atë një shkatërrim dhe vetëvrasje të partisë së saj.
“Ne jemi një parti që kemi marrë pjesë në zgjedhje edhe në kohë më të vështira se tani, madje edhe në vitin 1997” tha ajo duke shtuar se sfida për lidershipin e PD-së është ngjizja e një fryme dhe mbushja e shesheve dhe jo bojkoti i zgjedhjeve.
Pak a shumë të njëjtin qëndrim kishte të martën e shkuar në “Studio e Hapur” të Eni Vasilit edhe ish lideri i PD Sali Berisha. Edhe ai e hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e bojkotit nga PD. Pra duket sikur brenda protestës së opozitës duket se po përvijohen dy linja-raporton lapsi.
Së pari ajo e Bashës se “Pa zgjidhje nuk ka zgjedhje” dhe së dyti ajo e dyshes Berisha – Topalli, që kërkojnë patjetër zgjedhje, qeveri teknike dhe largimin e Ramës, por pa kërcenuar me bojkot.
Dhe këtu qëndron problemi. Jo se kush do të fitojë mes dy opsioneve. Por nëse obsioni i dytë, e shnderron në nul ose e zbeh forcën e të parit. Sepse nëse nuk ka mbi kokë si shpatë demokleu prishjen e zgjedhjeve, Edi Rama nuk ka presion për t’i bërë asnjë konçesion kundërshtarëve të tij.
Dhe në këtë mënyrë qëndrimet e Berishës dhe Topallit se PD duhet të marrë pjesë me çdo çmim në zgjedhje vertëm sa zbehin peshën negociuese të Bashës dhe i heqin atij nga dora armën e vetme për të arritur atë që po kërkon.