Kryesore Berisha: Do të dorëzojmë në Kuvend ligjin për 2-fishimin e pagave

Berisha: Do të dorëzojmë në Kuvend ligjin për 2-fishimin e pagave

Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti këtë të hënë një konferencë për mediat, ku zbuloi propozimin e grupit të tij parlamentar në lidhje me rritjen e pagave.

Berisha tha se deputetët e PD-së do të dorëzojnë në Kuvend projektligjin për dyfishimin e pagave.

Ai theksoi se objektivi nëse do të vijë në pushtet do të jetë 3 fishimi i rrogave të qytetarëve shqiptarë.

“PD denoncon të turpshme, antiligjore, antikushtetuese përdorimin e qindra milionë eurove për qëllime elektorale nga Edi Rama.

Garantoj qytetarët se jo dyfishimi i rrogave, por trefishimi do jetë objektiv numër një i qeverisjes së PD.

Por rritjet e rrogave, në asnjë vend të lirë, nuk bëhen para zgjedhjeve, para votimit të qytetarëve.

Ai që bën një akt të turpshëm është një kriminel elektoral, një bandit i vërtetë, një mashtrues ordiner.

Pagat e ulëta duhet të dyfishohen dhe ne i garantojmë të gjithë punonjësit që pagat në të gjithë piramidën shtetërore do dyfishohen.

Por këto akte nuk merren kurrë me qëllim për të ndikuar votën e qytetarëve.

Thirrja e tij për rritjen e rrogave të ulëta është një demagogji, pasi ajo nuk bëhet me vullnet, ajo është një thirrje thjesht propagandistike.

PD do depozitojë në parlament ligjin për dyfishimin e rrogave të ulëta si akt i parë.

Ky ligj do jetë i detyrueshëm për çdo institucion të këtij vendi, për çdo sipërmarrje të këtij vendi.

Ne këto veprime nuk i bëjmë për propagandë, ne i bëjmë se kemi bindje se një ndëshkim madhor më kryesor i këtyre 9 viteve ka qenë ngrirja e rrogave dhe pensioneve, de facto ulja e frikshme e tyre për shkak të inflacionit”, tha Berisha.