Kryesore Berisha: Drejtësia ka dështuar, qytetarët presin 10-15 vite për një vendim. Porti...

Berisha: Drejtësia ka dështuar, qytetarët presin 10-15 vite për një vendim. Porti i Durrësit nën kontrollin e “Pojës”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke e cilësuar atë të dështuar dhe të paaftë për t’u siguruar qytetarëve një proces të drejtë ligjor.

Në një takim me sipërmarrës, ai tha se vonesat në gjykata po rriten dhe qytetarët duhet të presin deri në 15 vite për një zgjidhje.

“Pse e them këtë? Sot, për çështjet civile duhet të presësh 10 apo 15 vite dhe kjo nuk po vjen duke u pakësuar. Ishin 130 mijë dosje, tani janë 150 mijë. Dhe po të pyesësh, thonë reforma. Çfarë reforme? Reforma që u mohon shqiptarëve të drejtën e procesit ligjor,” u shpreh Berisha.

Ai hodhi dyshime mbi mënyrën se si po funksionon drejtësia, duke thënë se vendi është kthyer në një sistem “kape e fut”, ku 62% e të burgosurve janë ende në paraburgim.

“Jemi bërë vend ‘kape e fute’ sepse nuk ka gjykatës për të shqyrtuar çështjet, nuk ka prokurorë për të ndjekur dosjet”, tha Berisha.

Berisha e krahasoi situatën në Shqipëri me atë të Kinës, duke thënë se ky vend jep dënime të rënda për korrupsion, por edhe dënime politike.

“Kina është më e ashpra për dënimet për korrupsion, por Kina jep edhe dënime politike. Prandaj edhe quhet diktaturë komuniste. E sjell këtë shembull sepse shqiptarët kanë nevojë urgjente për një rireformim të këtij sistemi me Komisionin e Venecias,” tha ai.

Në të njëjtin takim, Berisha hodhi akuza të forta mbi situatën në Portin e Durrësit, duke pretenduar se drejtimi i tij i vërtetë është në duart e Xhevdet Troplinit, të njohur si “Poja”.

Sipas tij, kjo është bërë me qëllimin që të mos kapen sasitë e drogës që hyjnë në vend.

“Porti i Durrësit ka drejtor të vërtetë Pojën, Xhevdet Troplinin. Synimi është mos të kapin asnjë ngarkesë droge,” deklaroi ai.

Duke iu drejtuar biznesmenëve të pranishëm në takim, ai theksoi se vonesat e gjata në proceset gjyqësore dëmtojnë klimën e biznesit në vend.

“Nuk pret kush 10 vite për një vendim, sepse një biznesmen falimenton për 10 vite. Prandaj ju duhet të ngrini zërin tuaj, sepse kjo është një çështje që prek çdo qytetar,” tha Berisha.