Politika Berisha: Fatkeqësia e Shqipërisë nuk është moti, por ministrat e Edi Ramës

Berisha: Fatkeqësia e Shqipërisë nuk është moti, por ministrat e Edi Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar qëndrimin e qeverisë për përmbytjet në vend. Ai u shpreh se si pasojë e qëndrimit të papërgjegjshëm të qeverisë ka pasur rrugë të bllokuara, jetë të humbura si pasojë e infrastrukturës mesjetare si dhe rrënime të investimeve të bëra. Sipas Berishës, fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë nuk është moti, por qeveria.

“Shqipëria nuk pati një mot të madh dhe nuk ishte moti i madh fatkeqësia e saj. Fatkeqësia e vërtetë e Shqipërisë në këtë mot ishte Edi Rama dhe ministrat e tij hajdutë dhe të papërgjegjshëm për detyrën që kryejnë. U zhdukën. Përveç Facebook të Edi Ramës nuk ka funksionuar asgjë. Duke shprehur solidaritetin tim të plotë me të gjitha zonat e dëmtuara, me banorët e Shkodrës të cilët u përmbytën nga digat. Duhet të kesh logjikën e harbutit, të hapësh portat e 3 liqejve të kaskadën dhe të deklarosh se Shkodra, Nënshkodra nuk u përmbytën nga kaskada. Vetëm e vetëm se duhet të shpërblesh për çdo metër katror të përmbytur nga digat”, tha Berisha.

Për kryedemokratin katastrofë ishin edhe përmbytjet në Lezhë dhe shtoi se kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu “u bë i gjallë pasi iku uji”.