Politika Berisha gjen edhe një tjetër shkak për humbjen në zgjedhje: Mijëra zgjedhës...

Berisha gjen edhe një tjetër shkak për humbjen në zgjedhje: Mijëra zgjedhës shëtitës ditën e votimit

Një ndër shkaqet e tjera për humbjen në zgjedhjet lokale të 14 majit, sipas Sali Berishës ishte dhe fenomeni i zgjedhësve shëtitës.

Sipas kreu të demokratëve në këto zgjedhje mendohet të ketë pasur mbi 547 mijë zgjedhës shëtitës që ndikuan në rezultatin përfundimtar.

Berisha shtoi se të gjitha provat për këtë çështje PD do t’i dorëzojë në SPAK.

“Votuesit shëtitës u shfaqën si fantazma elektorale në zgjedhjet e 2015-ës, kur në një uzinë pa dyer e dritare dhe të braktisur prej vitesh në Kavajë, ishin regjistruar si vendbanimi 300 zgjedhës, ndërkohë që nuk kishte.

Në këto zgjedhje ne kemi dokumente se ky fenomen u shumëfishua. Një drejtor i Bashkisë së Tiranës, kishte regjistruar në katër apartamente false, rreth 20 qytetarë, të cilët nuk kishin banuar kurrë në apartamentet e tij, por kishin ardhur nga zona të ndryshme dhe kishin votuar për Erion Veliajn.

Fenomeni i zgjedhësve shëtitës është një fenomen që po studiohet me intensitet nga PD. Ndërkohë ne kemi identifikuar se zgjedhës potencialisht shëtitës, janë në të gjithë vendin rreth 547 mijë vetë.

Këta zgjedhës po identifikohen bashki më bashki. Këta zgjedhës do identifikohen qendër pas qendre”, tha Berisha.