Politika Berisha kërkon ndryshimin e Reformës Territoriale: Rama shkatërroi dhe dëmtoi rëndë përfaqësimin...

Berisha kërkon ndryshimin e Reformës Territoriale: Rama shkatërroi dhe dëmtoi rëndë përfaqësimin e qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarë dhe ekspertë në lidhje me Reformën Territoriale në Fier. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së është shprehur se Rama është armiku më i madh i shqiptarëve pas Enver Hoxhës.

“Ne si demokratë jemi në një situatë emergjence. Emergjencë kjo që na dikton një veprimtari të gjithanshme në mënyrë që të përballemi me armikun më të keq të shqiptarëve pas Enver Hoxhës që shkelmon dhunon votën e qytetarëve që iu heq anëtarëve të tij dhe krijon kështu në Shqipëri një parti që nuk voton, e cila në të gjitha variantet nuk mund të jetë kurrë demokratike”, akuzoi Berisha.

Berisha ka theksuar se me Reformën Territoriale, Rama ka shkatërruar përfaqësimin e qytetarëve.

“Këtu e ka sjellë Edi Rama shoqërinë shqiptare. Ai nuk është më pak armik i demokratëve se sa është i socialistëve që besojnë në rregullat e demokracisë. Rama e nisi që në fillim dhe t’u them të vërtetën me të parën që nisi është Reforma Territoriale. Me Reformën Territoriale, ai shkatërroi dhe dëmtoi rëndë përfaqësimin e qytetarëve. Qytetarët zgjidhnin me votën e tyre kryetarët e komunave dhe bashkive, mijëra përfaqësues këshilltarë dhe kishin një shpërqendrim të shërbimeve ndaj tyre. Ndryshimet demografike e bënin të domosdoshme, por ai përdori reformën absolutisht për parime të kundërta. Ai përdori centralizimin e këtij pushteti. Sot në Fier ke me qindra fshatra që nuk përfaqësohen nga asnjë këshilltar. Alfa e demokracisë fillon me përfaqësimin dhe votën, ky i shkatërroi nëpërmjet reformës në qeverisjen vendore. I la bashki të gjitha ata që donte dhe sot Gjirokastra me 120 mijë banorë ka 7 bashki, kurse Tirana me 1 milionë banorë ka 4 bashki gjithsej. Ky është koncepti i Ramës për demokracinë, ndaj ai përbën një rrezik të madh kombëtar. Pas kësaj, vazhdoi me dhunimin e votës, me patronazhistët, me përdorimin e të gjithë shtetit për votën, me bandat, terrorin dhe sot qëndron në pushtet me mënyrën më të paligjshme”, tha Berisha qw sakaq theksoi se PD është e angazhuar në një betejë shumëpalëshe përsa i përket Reformës Territoriale.

“Ne jemi të angazhuar në një betejë shumëplanëshe. Në një anë alternativat që do ju ofrojmë qytetarëve. Grupi i punës me në krye Oerd Bylykbashin, Yllsi Asllanin, Ivi Kason, Bresnik Aliajn dhe ish-qeveritarët tanë vendorë të shkëlqyer do paraqesin para shqiptarëve projektin e ri të Reformës Territoriale i cili ka vetëm një synim, rikthimin te qytetari. Sot personeli i emëruar dhe në tërësi pushteti vendor shpenzon rreth 10% më shumë se shpenzonte më parë, shërbimet janë përtokë, investimet janë përtokë. Para dy ditësh dëgjova kreun e qarkut Korçë i cili i tha se gjatë 8 viteve janë ndërtuar në këtë qark 58 km. Kjo është një histori që komunitetet u braktisën, fshatrat u braktisën, përqendrimi i fondeve u bë tërësisht në Tiranë, ose në fushata elektorale dhe u bë një vjedhje që nuk ka kufi”.