Kryesore Berisha me artistët: Sot, Tirana është i vetmi kryeqytet në botë pa...

Berisha me artistët: Sot, Tirana është i vetmi kryeqytet në botë pa Teatër Kombëtar

Kreu i PD Sali Berisha në një takim me artistët në Tiranë ka sjell në vëmendje prishjen e Teatrit Kombëtar. Ai e cilësoi kryeministrin Edi Rama si një armik të artit dhe të kulturës.

Berisha kujtoi protestat e artistëve për mbrojtjen e Teatrit të cilat i quajti si një nga përpjekjet më të mëdha dhe heroike që janë bërë.

“Një njeri, që ka studiuar arte në një mënyrë ose në një tjetër, një artist i dështuar, realiteti i tij që nuk kishte hapur një ekspozitë përpara se të bëhej kryeministër, por që kishte vjedhur dhe shitur vepra artistike, ikona mesjetare me vlerë kolosale, me të ardhur në pushtet, betejën e tij e nisi me artin, me kulturën. Nisi një betejë ndër më të egrat, betejë në të cilën zhduku ose pothuajse asgjësoi të gjitha institucionet kryesore artistike të artit, përveç Teatrit të Operas që ka shpëtuar gjer sot. Edhe aty ka futur duart.

Sot, Tirana është i vetmi kryeqytet në botë pa Teatër Kombëtar, në një kohë kur kishte një teatër 100-vjeçar. Sot, Tirana është një qytet që ka një galeri artesh të shndërruar në magazinë, ku piktorët nuk mund të ekspozojnë veprat e tyre. Sot fëmijët nuk kanë një teatër, siç e kishin gjer dje për dekada e dekada. Sot, libri tatohet në mënyrën më të pamëshirë. Muzeu mbyllet për ‘rikonstruksion’ me qëllimin e vetëm për të vjedhur 10-12 milionë Euro dhe për të ndërtuar një kullë në oborrin e tij. Si në asnjë vend tjetër të botës, artistët bënë përpjekje heroike, përpjekjet më të mëdha për të mbrojtur teatrin, në protestën më të gjatë qytetare të regjistruar ndonjëherë. Në qoftë se shqiptarët do lexojnë fjalën që ka mbajtur Edi Rama në Këshillin e Ministrave fill pas shkatërrimit të teatrit nën drejtimin e kryetarit të bashkisë, do shohin se ai është autori i vërtetë i shkatërrimit të Teatrit Kombëtar. Do të shohin se çfarë Neroni është ky njeri. Se me çfarë urrejtje ky justifikon aktin barbar të rrafshimit pas mesnate të Teatrit Kombëtar”, tha Berisha.

Berisha tha se të gjitha institucione kulturore, zërat për artin dhe kulturën janë transformuar në inekzistente si shkak i qeverisjes.

Më tej ai tha se Shqipëria është një vend shumë i pasur, por që trashëgimia kulturore po kërcënohet në mënyrë të fuqishme.

“Gjuha, letërsia, filmi, që të gjitha janë në agresion të plotë të narkodiktatorit dhe narkodiktaturës. Ju keni parë se si janë transformuar në inekzistente institucionet, zërat e fuqishëm në kulturën dhe artin tonë. Cilido që do të krijojë një tablo më të qartë të shpërthimit dhe urrejtjes të këtij personazhi ndaj artit dhe kulturës e ftoj të lexojë fjalimin që mbajti ai me rastin e përcjelljes të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Kombi ndahej me gjeniun e letrave dhe ky zihej në fjalim me Blendi Fevziun sepse ai kishte propozuar t’i përzgjidhet një vend më i veçantë nderi shkrimtarit që meritonte çdo nderim. Pra, i kërkoj ndjesë Helenës se mbase nuk i vjen mirë t’ia rikujtoj këtë moment, por Ismaili ishte shkrimtar mbarëkombëtar dhe ai fjalim ishte fyerje për çdo shqiptar. Një publicist, një studiues, bëri përsipër të bëjë një propozim pa asnjë qëllim të keq, por thjesht një detyrim që ndjente ai ndaj shkrimtarit të madh. Mjafton kjo që fjalimi t’i kushtohej atij dhe jo shkrimtarit.

Në këtë qytet janë vetëm agresion hipersonik që u bëhen qytetarëve me diskoketa dhe ato mbushin të gjithë jetën artistike. Ky vend është shumë çuditshëm, duke qenë vendi më perëndimorë i gadishullit të gjitha perandoritë e kanë lakamuar, e kanë pushtuar, kanë kaluar nëpër të, kanë lënë gjurmë. Kjo ka bërë që Shqipëria të jetë një nga vendet më pasura në trashëgimin kulturore, trashëgimi të veten, por edhe trashëgimi të perandorive të tjera. Tani janë vërsulur edhe ndaj tyre, janë vërsulur ndaj Butrintin, Bylysit, trashëgimeve të tjera kulturore dhe krahas tyre edhe ndaj bukurive natyrore të këtij vendi. Në qoftë se ka një gjë që kërcënohet në mënyrën më të fuqishme është trashëgimia kulturore e këtij vendi”, tha Berisha.