Të dy takimet që kreu i opozitës zhvilloi këtë të shtunë nisën me një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut.
Në takimin që zhvilloi me banorë të njësisë numër 11 në kryeqytet nënshkroi një kontratë publike me ta, një formë angazhimi që kur të vijë në pushtet do të legalizojë çdo ndërtim pa leje.
“Jam këtu për t’u zotuar para jush se në mënyrë absolute asnjë banesë e juaja nuk do preket dhe se do ketë legalizim të plotë, total”, tha Berisha.
Nisma e qeverisë për paqe fiskale me biznesin e madh për Berishën është ripaketim i iniciativës së propozuar pak vite më pare për amnistinë fiskale e penale.
“Reklamoi me të madhe amnistinë fiskale, kur nuk kishte asnjë synim tjetër veçse të sillte paratë e drogës. Tani thotë paqe fiskale. Por unë i garantoj atje ku janë se asnjë qindarkë, asnjë dollarë, asnjë euro, nuk do mund të sjellin në Shqipëri”, tha kryedemokrati.
Në të dy takimet e pranishme ishte dhe ministrja kroate e Kulturës, ndaj Berisha e gjeti me vend të krahasohet me këtë shtet anëtar në BE për standardin e ndërtimit të rrugëve.
“Në Kroaci me 1.6 milionë euro kilometri, kurse këtu ndërtohet me 17 milionë euro kilometri”, tha Berisha.
Në konferencën ndërkombëtare me gratë “GLOBAL SHE” e akuzoi Ramën si mizogjen. Edhe pse ka numrin më të madh të grave në qeveri dhe shfaqet në takime i rrethuar prej tyre Berisha pretendon se i përdor thjesht për fasadë.
“Një fushatë në aparencë feministë, në thelb mizogeniste”, tha Berisha.
Ndërsa vetë premton se do të rrisë mbështetjen e grave në çdo hallkë të qeverisjes.