Politika Berisha paralajmëron protesta: Do ngrihemi fuqishëm kundër armikut më të egër të...

Berisha paralajmëron protesta: Do ngrihemi fuqishëm kundër armikut më të egër të lirisë së shqiptarëve

Pasi analizoi procesin zgjedhor të 14 Majit për të cilën pretendon se është i manipuluar nga mazhoranca, kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar protesta nga ana e opozitës.

Berisha u shpreh se demokratët dhe gjithë idealistët do të ngrihen në një lëvizje të fuqishme kundër Ramës dhe qeverisë së tij.

“Sigurisht do ngrihemi, do ngrihemi në një lëvizje të fuqishme kundër armikut më të egër të lirisë së shqiptarëve që tashmë është i njohur Edi Rama dhe qeveria e tij. Kam besim se demokratët janë të gatshëm, se mbi 500 mijë idealistë që në këto kushte qëndruan të pamposhtur do t’i japin kthesë vendimtare vendit”, tha Berisha.

Berisha përshëndet rezolutën e PE: Për 14 Majin, raporti thekson se…

Në takimin e sotëm me kryetarët e degëve, kandidatët e opozitës në zgjedhjet lokale si dhe kryetarët demokratë në disa bashki të vendit, Sali Berisha përshëndeti rezolutën e Parlamentit Europian.

Sipas tij, në rezolutën e miratuar më 24 Maj janë paraqitur problemet më madhore të vendit.

“Së pari ju përshëndes përzemërsisht të gjithë drejtuesit dhe kandidatit e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për përpjekjen e madhe që bëtë në një fushatë në kushtet më të pabarabarta. Përgëzoj ata kandidatë që morën mandatin për kryetarë bashkie. Falënderoj nga zemra të gjithë ekipet e kandidatëve, të gjithë anëtarët dhe të gjithë ata që u angazhuan për suksesin e kandidatëve tanë në këtë betejë më të pabarabartën e zhvilluar ndonjëherë. Para se të ndalem në problematikën për të cilën është thirrur kjo mbledhje, dëshiroj në emër të PD të falënderoj Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili miratoi më 24 maj një rezolutë për Shqipërinë, rezolutë në të cilën janë pasqyruar problemet madhore të vendit, ndaj dhe unë po lexoj deklaratën e mëposhtme.”

Ish-kryeministri theksoi se PE është ndalur në disa pika si: Porti i Durrësit, liria e medias dhe pastrimi i parave në Shqipëri.

E për 14 Majin, Berisha citoi se Parlamenti Europian në raport shkruan se aktorët shtetërorë nuk duhet të ndërhyjnë në procesin zgjedhor.

“Javën e shkuar, Komisioni i Jashtëm i PE miratoi raportin për Shqipërinë 2022. Tekst i paraqitur nga deputetja socialiste Isabel Santos u shtua me amendamente të Partive Popullore Europiane.

Lidhur me zgjedhjet e 14 majit, raporti thekson se në Shqipëri duhet garantuar liria e partive të paraqiten në zgjedhje pa ndërhyrjen e aktorëve të tjerë shtetërorë. Ky pasazh i atribuohet PD-së. Për shkak të afateve, nuk janë paraqitur problematikat e shumta të zgjedhjeve. Parlamenti Europian kritikon vendimin për rrëzuar hetimin parlamentar për skandalin McGonigal. Parlamenti Europian është i skandalizuar me kontratën e Portit të Durrësit me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi kjo kontratë shkel MSA-në. Gjithashtu në raport thuhet se projekte si ai i Portit të Durrësit, duhet të zbatojë ligjin e prokurimeve publike. Parlamenti Europian shpreh shqetësimin për regresin e lirisë së medias dhe shprehjes. Raporti shpreh shqetësim se nuk ka progres në luftën kundër larjes së parave të krimit.

Unë dua të falënderoj shumë të gjithë deputetët e Parlamentit Europian, grupin e punës të krijuar në PD me zotin Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Genc Pollo dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët në një komunikim intensiv me parlamentarë europianë, arritën të paraqesin situatën dhe problematikat.”