Kryesore “Berisha po tërheq zvarrë LSI-në”, Lefter Koka: Pse nuk do e djeg...

“Berisha po tërheq zvarrë LSI-në”, Lefter Koka: Pse nuk do e djeg mandatin e deputetit

Deputeti i LSI, Lefter Koka, ka rrëfyer arsyet se pse nuk do ta djegë mandatin e deputetit.

Ai thotë se vendimi për djegien e mandateve nuk është i Lëvizjes Socialiste për Integrim, por vjen nga Sali Berisha.

“Dhe nëse erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI, a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe unë i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë”, thotë Koka në n një shënim në Facebook.

Deklarata e plotë e Lefter Kokës:

Opozita dje mori vendimin për të djegur mandatet e deputetit.

Vendimi im i palëkundur është se unë nuk do të djeg mandatin e deputetit, që mijëra durrsakë më kanë besuar. I zgjedhur prej vullnetit të bashkëqytetarëve të mi, për të ushtruar pushtetin legjislativ dhe të jem përfaqësuesi i tyre. Parimet e mia në 2 dekada te jetës sime politike janë udhëhequr vetëm nga interesi i qytetarëve. Janë ata që me kanë treguar gjithmonë cila është e drejta dhe e vërteta, janë ata bashkudhëtarët dhe udhërrëfyesit e mi.

Ky nuk është një vendim thjesht i Lëvizjes Socialiste për Integrim por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit.

Dhe nëse erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI, a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe unë i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë.

Mandati im është besimi i mijëra qytetarëve. Është mandati i qytetarisë, kulturës dhe fisnikërisë durrsake , që as në ditët më të vështira të këtij qyteti nuk theu kurrë një xham. Qytetarët durrsakë kanë treguar në çdo kohë, se ata janë shembulli më i mirë i shoqërisë shqiptare. Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar.

Thellësisht mirënjohës për të përfaqësuar sa më denjësisht zërin tuaj.