Aktualitet Berisha: Policia vrau 32-vjeçarin në Tiranë. Policët e kanë ndjekur dhe më...

Berisha: Policia vrau 32-vjeçarin në Tiranë. Policët e kanë ndjekur dhe më pas e kanë dhunuar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi policinë për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, i cili humbi jetën gjatë natës pas shoqërimit në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë.

“Kriminelë me uniformë i morën jetën të riut Lear Kurti. Kjo është një vrasje shtetërore e shëmtuar, e banditëve të Edi Ramës dhe ministrit të tij të familjes, Çuçi. Me këtë rast, unë i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së të riut Lear Kurti. Por shpreh revoltën time më të fuqishme ndaj këtij akti kriminal të përsëritur të vrasësve me uniformë, për të cilët nuk ekziston asnjë lloj norme, ligji apo morali. Ky është akti i disatë që vrasës me uniformë u marrin jetën të rinjve në rrugë, në makinat e policisë apo komisariat. Ky akt  shëmtuar është një dëshmi tjetër se Shqipëria qeveriset nga një bandë e udhëhequr nga Rama dhe miku i familjes, Çuçi. Me këtë rast, u bëj thirrje të gjithë të rinjve të ngrihen fuqishëm në një protestë të madhe, të protestojnë kundër kësaj vrasje mizore, kundër kësaj vrasje me torturë, e kanë vdekur në makinën e policisë. E kanë çuar të vdekur në spital. Nuk kanë kryer as gjërat më minimale dhe siç e patë ju, parlamenti i tyre refuzoi të mbajë një minutë heshtje. Qëndroi në anën e vrasësve, jo të viktimës. Edhe ky është një akt i shëmtuar. Nuk ka sesi, nuk janë rastësi këto përsëritje periodike. Policia është e mbushur me vrasës dhe trafikantë, është e mbushur me patronazhistë kriminelë. Ndaj ndodhi këto. Po të marrësh vrasjet nga policia në harkun 18-mujor, janë më të shumta se në SHBA dhe Europë të marra së bashku. Ndaj këtu mbetet vetëm protesta dhe përballja me këta hajdutë për shpëtimin e jetës”.

I pyetur nga gazetarët nëse ka prova për t’i mbështetur këto akuza, Berisha tha: “Po-po. Policia si gjithnjë gënjen, siç tha për Klodian Rashën. Siç tha që u gjet dhe një revole diku atje. Prisni tani kur të na thonë se në një pellg atje ishte një revole. Sigurisht. E kanë ndjekur pse nuk paraqiti dokumentin, në një distancë të gjatë shumë. E kanë kapur, e kanë futur në makinë, janë sjellë kafshërisht, shtazërisht me të. Burimi thotë se në komisariat e kanë sjellë pa ndjenja apo të vdekur. Nuk kanë marrë autoambulancë, për ta çuar në komisariat, nuk kanë thirrur autoambulancë, nuk e kanë dërguar drejt e në spital viktimën e tyre në makinë, por me një makinë policie e kanë dërguar gjoja në spital, defacto në morg. Po të lexoni komunikatat, gjithçka tregon se është dora e vrasësve me uniformë që i morën shpirtin një 32-vjeçari pas mesnate në Tiranë. Kjo është e tërë historia”.