Politika Berisha premton revolucion të ri fiskal, çfarë iu zotua bizneseve

Berisha premton revolucion të ri fiskal, çfarë iu zotua bizneseve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me Dhomën e Tregtisë e Industrisë dhe Shoqatat e Biznesit këtë të enjte. Kryedemokrati hodhi akuza se në vend kanë rënë prodhimi industrial dhe eksportet.

“Është Shqipëria që nga një semestër në tjetrin, prodhimi industrial bie. Eksportet nga viti 2023-2024 janë ulur me 32 përqind, statistikë zyrtare kjo. Eksportet nga njëri muaj në muajin tjetër të këtij viti vazhdojnë të bien. Prodhimi bujqësor shënoi rënie dramatike”, tha Berisha.

Para biznesmenëve, kryetari i PD-së garantoi se nëse vjen në qeveri vendi do të prodhojë sa më shumë.

“Ne kemi shpallur dhe jemi të bindur se alfa dhe omega e programit tonë duhet të jetë ekonomia, ekonomia, ekonomia. Kjo gropë e tmerrshme që po krijohet në këtë vend nga largimi masiv i shqiptarëve ka në themel ekonominë, ekonominë, ekonominë”, tha Berisha.

Sipas tij, një ndërhyrje emergjente në ekonomi është jetike. Ai u zotua para biznesit për një revolucion të ri fiskal.

“Së pari, ne jemi dhe mbetemi të zotuar para biznesit për një revolucion të ri të vërtetë fiskal. Ne besojmë se paratë në kontot e tyre janë më të vlefshme për shoqërinë dhe qytetarët se sa në kontot e qeverisë, sepse kjo u jep mundësi të mëdha punësimi dhe zgjerimi të aktivitetit. Ndaj dhe ne do kalojmë në një sistem fiskal në të cilin së pari do ketë stabilitet të atij sistemi”, tha Berisha.

Po ashtu ai premtoi se do të vendoset taksa e sheshtë 10 përqind, do ulet TVSH dhe taksa e shitjes së pronës do të shkojë në 2 përqind nga 15 që është aktualisht. Sa i përket çmimit të karburanteve premtoi se “në pikat e shitjes me pakicë do jetë plus/minus 10 përqind me çmimin në Kosovë dhe Maqedoni”.

Sa i përket të rinjve tha se qeveria do të marrë përsipër për çdo të ri të punësuar një vit sigurimet shoqërore.

“Çdo i ri që investon gjer në moshën 25 vjeç, pa taksa. Po kështu edhe gratë kryefamiljare”, tha ai.