Kryesore Berisha: Pse Rama anuloi emërimin e Spiropalit si ministre të Jashtme në...

Berisha: Pse Rama anuloi emërimin e Spiropalit si ministre të Jashtme në momentin e fundit

Pasi Kuvendi votoi për ndryshimet e reja në kabinetin qeveritar, ka folur për mediat ish-kryeministri Sali Berisha i cili i quan ministrat e sapozgjedhur “anëtarë të rinj të Ansamblit të krimit dhe drogës”.

Berisha hodhi akuza ndaj Olta Xhaçkës dhe Frida Kfricës të cilat janë larguar nga detyra e tyre si ministre, por nuk la pas as Ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali. Sipas kryedemokratit, Igli Hasani ishte opsioni i fundit për t’u vënë në krye të Ministrisë së Jashtme pasi atë post e donte Spiropali.

“T’i marrim pak me radhë, të gjitha ndryshimet e qeverisë kishin diktat krimin dhe vetëm krimin. Largohet Olta Xhaçka e cila bëri burrin investitor strategjik, u vërsul e papërmbajtur për të përvetësuar pronat, zëvendësohet në qeveri me diplomat, i cili ishte zgjedhja e minutës së fundit, të gjitha ceremonitë për të zënë vendin e ministrit të Jashtëm i kishte bërë Spiropali. Ajo bënte mbledhje me Pëllumb Gjokën e banda të tjera të Shkodrës në një hotel afër qendrës. Por u anulua. Sa të më bjerë në dorë videoja do ua jap, pa asnjë diskutim. E patë si u nxi Elisa në Asamble, ra si mortje.”

Arbjan Maznikun i cili është emëruar Ministër për Pushtetin Vendor e cilësoi “përfaqësues direkt të bandave kriminale.”

“Erdhi në qeveri përfaqësuesi direkt i Ndranghetës, Arbjan Mazniku ka qenë menaxheri i një ndërmarrjeje të nënshkruar mes Erion Velisë me dy persona të tjerë, Bruno Preseci dhe Flavio Tosi, dy emra që gjoja ishin pronarë me 80% të aksioneve të djegësit Veliaj, por janë të kërkuar nga të katër anët në Itali. Më të stërvitur në vjedhje dhe të lidhur me krimin nuk gjendet sot për sot se Arbjan Mazniku, përveç Taulant Ballës. Ata që bëjnë avokatinë e Maznikut, lexoni pak dokumentet, marrëveshjen e firmosur, pastaj bëni avokatinë sa të doni.”

Berisha e akuzoi për ryshfet edhe ministren e sapozgjedhur të Shëndetësisë.

“Largimi i Krifcës, e cila ishte e infektuar nga sindroma Xhaçka dhe tha pse mos ta bëj dhe unë burrin investitor. 120 mln gjoba e shqiptarëve për shkak të veprimeve të saj. Por, të themi atë që është, ato që erdhën nuk janë më pak se Krifca. Albana ka një histori të hidhur 8-vjeçare, në të cilat regjistrimet faktojnë se emërimet i bënte me ryshfet, ajo shkon në një sektor të cilën Ogerta e la në agoni.

Nuk po flas për Edonën e Zeusit se ajo shkoi në qiell se atje i kishte mendtë, por prurje të tjera janë mëkatare. Dhe unë ju garantoj se Ansamblit të Krimit dhe Drogës që qeveriste iu shtuan anëtarë të rinj, ndryshimet mos harroni filluan me Taulant Ballën, njeriu i cili në vitet studentore merrej me trafik, nxirrte viza për trafik prostitucioni nga Rumania në Shqipëri dhe diplomatët e kishin denoncuar. Balla u shndërrua me shpejtësi në një bos të krimit të organizuar. Taulant Balla, njeriu me dy ose tre telefona, ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me eksponentë kryesorë të krimit të organizuar në Belgjikë, Hollandë e vende të tjera. Balla është shoqëruesi me pasaportë diplomatike i Edmond Begës, një nga trafikantët më të mëdhenj të rajonit. Balla është akuzuar si i implikuar në vrasjen e avokatit i cili kishte dijeni për regjistrimet që provonin se Balla është porositës vrasësish.”

“Pra me një fjali, ndryshimet e sotme ishin për të larë fytyrën, por duke e nxirë akoma më shumë! Për Igli Hasanin nuk di gjë, por di marrëzinë e tij që pranon të vihet në dispozicion të Edi Ramës, si mundet një diplomat me karrierë të pamohueshme të shërbejë për një vasal të Vuçiçit?! Këtë e bën një diplomat dritëshkurtër, nuk flas keq për të, por nuk ja miratoj dot vendimin. Sa i përket Metes, ai ka ca gjëra që do i shpjegoj më vonë”, përfundoi ish-kryeministri.