Politika Berisha: Rama nuk shkel në Parlament, sepse nuk përballon dot opozitën

Berisha: Rama nuk shkel në Parlament, sepse nuk përballon dot opozitën

Në prezantimin e kandidatit për Bashkinë e Pogradecit, Zini Tollozhina në zgjedhjet e 14 majit, Sali Berisha iu rikthye sërish çështjes “McGonigal” dhe udhëtimeve me çarter, duke thënë se Edi Rama nuk shkel në Parlament sepse nuk përballon dot opozitën.

“Sot, një thirrje për të rinjtë shqiptarë. Unë i kuptoj kushtet me të cilat ju përballeni. Por, para largimit pranoni betejën. Betejën do e fitojmë, në qoftë se ju vendosi të bëheni energjia e kësaj lëvizjeje dhe të shpëtoni vendin tuaj. Betejën e do fitojmë, sepse edhe në të shkuarën ne kemi përjetuar të këqija të mëdha, dhe prapë kemi dalë mbi to. Betejën do ta fitojmë kësaj radhe, sepse nuk ka shqiptar që nuk e do këtë vend, që nuk e do lirinë e tij dhe vendit të tij. Që pajtohet me veprimet primitive, të turpshme të opozitës nëpërmjet vendimeve të gjykatave.

Nuk ka shqiptar që do një Shqipëri pa opozitë. Ju e shihni Edi Ramën, sesi përpëlitet gjatë këtij viti. I frikësuar dhe i tmerruar nga opozita. Se si nuk shkel në parlament, se nuk përballon dot opozitën. Se si shkelmon Kushtetutën, dhe nuk lejon komisionet hetimore të saj për udhëtimet dhjetëra e dhjetëra milionë euro, për lukset e tij, për aferat e tij kriminale me McGonigal e të tjerë.

Qytetarët shqiptarë nuk janë kurrë dakord me një fasadë opozitë. Edi Rama përpiqet të mbrojë opozitën me Alibravën dhe Alibashë, duke blerë siç bleu krye zbuluesin e SHBA-ve. Ka njerëz që shiten dhe blihen, por ka dhe të tjerë që nuk shiten dhe nuk blihen kurrë. Ka të tjerë që jetojnë me djersën e ballit, dinjitetin e tyre. Ka të tjerë që duan të jenë të lirë, dhe këta janë shumica e shqiptarëve. Ndaj koha është të bashkohemi. Të firmosim ndryshimin më datën 14 maj”, u shpreh ndër të tjera Sali Berisha.

Berisha: Sot një apel buron, të ndryshojmë që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri

“A nuk është kjo një thirrje e ndërgjegjes njerëzore, kombëtare për çdo shqiptar që të ngrihemi, të mos lejojmë që vendi ynë të tretet para syve tanë. Të ngrihemi, të mos lejojmë që dhe për 8 apo 16 vite të tjera, këtu nuk dihet se kush do të jetë me këto ritme. Të ngrihemi, sepse kjo që po ndodh është absolutisht pasojë e politikave anti-shqiptare. Unë ju rikujtoj ju këtu, se në vitet 2007-2014, çdo vit numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit. Popullata u rrit. Dhe nga 2014 e deri më sot, shqiptarët tejkalojnë çdo komb tjetër për një hark të tillë kohor në braktisjen e vendit të tyre.

A duhet ne të qëndrojmë duarkryq? A duhet ne ta përcjellim këtë me indiferencë? A duhet ne të shkojmë të udhëtojmë të përgjumur në fatin tonë? A duhet ne t’i nënshtrohemi këtij fati? Kurrën e kurrës! Secili nga ne nuk ka në Shqipëri 1/3 e familjes. Nuk ka në Shqipëri 1/3 e miqve, 1/3 e njerëzve të tij. Dhe ku kanë shkuar? Sigurisht, kanë shkuar në vende tjera që janë më të pasura.

Po ju them një gjë. Si Pogradeci, si Shkodra, si Korça, si Vlora, si Shqipëria nuk ka vend më të pasur mbi tokë me rezervat natyrale. Asnjë vend nuk ka pasuritë përrallore  të Shqipërisë, por kjo kërkon t’i përgjigjemi asaj thirrje të brendshme që na thotë të ndryshojmë gjendjen. Sot një kushtrim, një apel buron nga çdo zemër, mendje, ndërgjegje. Të ndryshojmë, në mënyrë që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre më të bukur në Shqipëri, në Pogradec, në Korçë dhe kudo.”, deklaroi Berisha nga Pogradeci.