Politika Berisha: Rama, thikë pas shpine PD-së duke marrë peng Lulzim Bashën

Berisha: Rama, thikë pas shpine PD-së duke marrë peng Lulzim Bashën

Ish-kryeministri Sali Berisha po zhvillon në Fier turin e tij “Foltorja” për ringritjen e Partisë Demokratike, pas përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat. Ai është pritur nga kreu i PD-së së Fierit Luan Baci dhe qindra qytetarë. Gjatë fjalës së tij me anëtarë dhe mbështetës të tij, lideri historik i PD akuzoi sërish kryetarin aktual demokrat se është marrë peng nga Rama, duke i futur thikën pas shpine Partisë Demokratike.

“Sot duke marrë peng kreun e opozitës, Edi Rama i futi një thikë pas shpine PD-së me dorën e pengut të tij Lulzim Basha. Sot kemi nisur këtë debat me ju të dashur demokratë, por ky debat ju ftoj të zhvillohet midis njerëzve që u besojnë vlerave dhe kanë përgjegjësi dhe ndjejnë përgjegjësinë dhe betohen për të rilindur shpresën dhe për të ecur të sigurt drejt fitores”.

Por ky vendim i kryedemokratit për ish-kryeministrin nuk duhet të përçajë demokratët e Berishës dhe Bashës, por i ftoi të gjithë të revoltuarit të mos pranojnë këtë ndarje. Berisha tha se ai vetë është mbështetësi kryesor i Bashës dhe nuk i shkonte mendja kurrë se ai do të merrte këtë vendim pa pyetur asnjë forum, statut apo parim.

“Kuptoj se dhjetëra mijëra anëtarë e mbështetës të PD janë të revoltuar pafundësisht nga akti i pabesë i Bashës, por ju ftoj ju që të mos pranojmë në asnjë mënyrë, asnjë lloj ndarjeje mes nesh mes Berishës e Bashës, jo ju jini njerëzit e vlerave të besimit, të lirisë, të ardhmes së vendit atyre që janë në këtë sallë dhe kanë mbështetur Bashën të tjerëve që s’janë këtu dhe e kanë mbështetur Bashën dhe ata që nuk duan Berishën, ju them se më shumë se ju, Bashën e ka mbështetur Berisha, ju kini mbështetur kryetarin e PD, unë kam mbështetur kreun e PD. Asnjëri nga ne kurrë ndonjëherë nuk i shkonte ndërmend se kryetari ynë i marrë peng në mënyrë absolute do të mundej që pa pyetur asnjë njeri, asnjë forum, asnjë nen statutor e parim mbi të cilin është ndërtuar PD del me një vendim për të dorëzuar sovranitetin e PD”.

Berisha më pas shtoi se kjo nismë e tij është kryekëput, jo për të por për Partinë Demokratike, ndërsa sqaron edhe sjelljen e tij pas vendimit të DASH që e shpalli non grata, duke mos përjashtuar miliarderin Soros për implikim në këtë vendimmarrje.

“Secili nga ju ka të drejtë të shtrojë një pyetje doktori e ka për vetë këtë nismë apo për PD ju jap fjalën e nderit se e kam kryekëput për PD e anëtarësinë e saj. Unë nuk kam dashur të implikoj njeri mbi tokë përveç vetes sime kam vendosur të nesërmen që shpalli vendimin DASH ta çoj në gjykatë për shpifje, vendimi është i bazuar mbi shpifje. Po pse erdhi ky vendim. Në letrën që i kam shkruar atij një orë pas vendimit i shkruaj që z. Sekretar kjo është vepër e Soros, korruptorit kryesor të politikës që ka lidhje të panumërta. Po çlidhje kishte Sorosi me Berishën? Sorosi harton në Beograd projektin në pamje të parë të ndryshimit të kufijve në të vërtetë të shpërbërjes së Kosovës. Ishte dhënë para e madhe dhe gojët ishin mbyllur, por goja ime nuk mbyllej kurrë për interesin kombëtar dhe unë kundërshtova ata që paraqitën projektin ua bëra të qartë që kjo është tradhti kombëtare dhe shkelje e kushtetutës dhe gjaku të atyre që ranë për Kosovën. Parashikonte që galeritë e Trepçes i jepeshin Serbisë dhe Kosova shpërbëhej. Më akuzuan për konspiracion ndaj politikës së SHBA”.