Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për Fortlumturinë e tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasios Janullatos.
Sot, me nderim dhe respekt të veçantë, shpreh vlerësimin tim më të madh për kontributin e pavdekshëm të Fortlumturisë së tij në ringjalljen nga shkrumbi i diktaturës komuniste të Kishës Autoqefale të Shqipërisë. Unë gjithashtu shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, Kishës Ortodokse Autoqefale dhe mbarë ortodoksëve të Shqipërisë dhe i lutem Zotit, së bashku me ta, që shpirti i ndritur i këtij shërbëtori të pakursyer të Kishës dhe Zotit të gjejë paqen e amshuar”, shkroi Berisha në Facebook.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë bëri me dije se Janullatos ndërroi jetë në spitalin “Evangelismos” në Athinë, ku ishte i shtruar pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Ai ishte 95 vjeç.
Ceremonia funerale do të kryhet të enjten, më 30 dhjetor në Shqipëri, pasi ishte amaneti i Janullatosit që të prehej në vendin tonë. Trupi i tij mbërrin në Shqipëri të martën, ndërsa vendi i prehjes nuk është caktuar ende, por besohet se do të jetë Manastiri i Shën Vlashit në Durrës.