Kryesore Berisha sfidon Bashën: Eja me mua në bazë

Berisha sfidon Bashën: Eja me mua në bazë

Turi i takimeve i ish-kryeministrit Sali Berisha u ndal këtë të martë në Peshkopi.

Ish-kreu i PD me këtë nismë synon largimin e Bashës nga drejtimi i partisë. Kjo lëvizje e tij vjen pasi kreu i PD e përjashtoi nga Grupi Parlamentar pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA.

Sali Berisha e ftoi Lulzim Bashën në takimin që zhvilloi pasditen e martë në Dibër t’i bashkohet foltores dhe të diskutojë me anëtarësinë demokrate, qoftë dhe duke kundërshtuar atë.

“Atë e ka kapur një frikë e madhe. Ai ka frikë nga ju. Ai rri brenda katër mureve, bashkëqendror me Edi Ramën dhe pastaj thotë po shpifin për mua. Po kush po thotë? Hajd tako anëtarët. Hajde këtu, edhe me mua hajde këtu, shpreh mendimet tua. Këtu jemi në kolektivitet. Çfarë do bëjmë? Do thonë gjëra si i mendojnë duhet të jesh i përgatitur që t’i dëgjosh”.

Berisha thotë se Kuvendit Kombëtar do t’i propozojnë dhe ndryshime në programin politik të PD. Ish-kryeministri di dhe mënyrën sesi rrëzohet nga pushteti Edi Rama, çka Lulzim Basha sipas tij nuk ka ditur ta bëjë në këto 8 vite.

Gjatë fjalës së tij ish-kryeministrit Berisha bëri të ditur se 2/3 delegatëve kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, ku ndër të tjera pritet të diskutohet vendimi i Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

“Kam ardhur sot këtu me një kënaqësi të veçantë për të falenderuar të gjithë demokratët dhe demokratët e Dibrës për mbështetjen që i kanë dhënë PD që nga themelimi i saj deri sot. Dua të falenderoj të gjithë, në mënyrë të veçantë, të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar të Peshkopisë, Bulqizës dhe Matit të cilët kanë firmosur tashmë mbi 2/3 vendimin e tyre, për të mbledhur në një moment historik për PD dhe vendin, Kuvendin Kombëtar të PD, Kuvendin e ringritjes së kësaj force politike në lartësinë  e idealeve të saj si opozita më e fuqishme e vendit”, tha Berisha.

Berisha: Po të isha rikthyer në 2017, Rama nuk do kishte marrë një mandat të tretë

Berisha ka kërkuar ndjesë pasi gjatë këtyre viteve nuk ka ngritur problemet më të mëdha me të cilat përballej PD, por këtë thotë se e ka bërë tek kryetari Lulzim Basha.

Megjithatë, vetë Berisha thotë se kjo gjë nuk e justifikon. Ai u shpreh se në vitin 2017, kur siç thotë i ka kërkuar Bashës dorëheqjen, duhet të vendoste që të rikthehej vetë në krye të selisë blu në mënyrë që Edi Rama mos të fitonte mandatin e radhës në krye të punëve të vendit.

“Miqtë e mi, PD është sot e goditur rëndë nga aktet e papërgjegjshme nga udhëheqja e papërgjegjshme pothuaj inekzistente e saj. Me datën 25 Prill në darkë, çfarë tregonin sondazhet? Tregonin se vetëm 19 përqind e shqiptarëve që kanë votuar PD kishin votuar për kryetarin. Pra ne kishim shkuar te kutitë e votimit symbyllur. Mirënjohje të pakufishme atyre që na votuan sepse ne drejtues nuk kishim. Dua të shfrytëzoj rastin t’ju kërkoj ndjesë sepse gjatë këtyre viteve unë nuk kam ngritur pranë jush problemet e mëdha me të cilat përballej PD, pavarësisht se unë ato në mënyrë absolute dhe në mënyrë të dokumentuar ia kam thënë që të gjitha kryetarit të saj. Kjo natyrisht nuk më justifikon. Nuk më justifikon faktin se edhe kur në vitin 2017 i kërkova dorëheqjen ndoshta duhet të vendosja të rikthehesha për të mos pasur edhe mandat tjetër Edi Rama siç e keni sot”, tha Berisha.