Kryesore Berisha: Sondazhet e PD na nxjerrin fitues. Zgjedhjet e 11 Majit janë...

Berisha: Sondazhet e PD na nxjerrin fitues. Zgjedhjet e 11 Majit janë nën vëzhgimin e Evropës

Ndryshe nga sondazhet e publikuara në media që nxjerrin fituese Partinë Socialiste, Sali Berisha thotë se në 11 Maj shqiptarët do të votë-besojnë Partinë Demokratike.

“Sipas manipulimeve që ka dhe ai beson gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre. Sondazhet tona tregojnë se në zgjedhjet e lira, fitimtar absolut është PD, dhe me zgjedhje të lira, partia e krimit kthehet në vitin 1992″, tha Berisha.

Berisha paralajmëroi Ramën se zgjedhjet e 11 Majit janë nën vëzhgimin e Evropës dhe se kush tenton të tjetërsojë vullnetin e shqiptarëve, do shpallet sipas modelit “Trump”, organizatë terroriste.

“Ne do i shpallim organizata terroriste dhe do lobojmë shumë në Evropë dhe SHBA që këto të konsiderohen të tilla nga mbarë faktori ndërkombëtar”, tha ai.

Refuzimin e kreut të qeverisë për të dalë në debat publik me të, e sheh në funksion të kodit të mafies që ai thotë se zbaton Edi Rama.

“Është padrino. Vetë nuk pranon të përballet në studio. Kodi i omertas, është i pashpresë”, tha Berisha.

Me prodhuesit e bimëve medicinale, Berisha u zotua të zhdukë drogën nga harta e Shqipërisë, teksa i kërkoi fermerëve që morën licenca nga qeveria për mbjelljen e kanabisit mjekësor të heqin dorë nga ky projekt.

“Do të zhdukim drogën nga Shqipëria ne! Ne jemi kundër dhe u them atyre që morën ato licenca nga Edi Rama, ato janë licencat e helmit. Më mirë mos bëni mëkat të mbillni drogë se absolutisht qeveria pas 11 Majit do ketë një qëndrim shumë të rreptë ndaj saj”, tha Berisha.

Eksportet e Shqipërisë me SHBA për bimët aromatike dhe mjekësore arrijnë në 18 milionë dollarë dhe Sali Berisha premton që do të negociojë me qeverinë amerikane për zerimin e taksave.

“Qëndrimi ynë ndaj tarifave është negociata me qeverinë e SHBA për 0 tarifa. Kjo me kërkesën që qeveria amerikane do të na përgjigjet njëlloj. Le të mendojmë se qeveria amerikane nuk e plotëson këtë, ne do t’ju subvencionojmë”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati premtoi pesëfishim të granteve për këtë sektor dhe daljen e Shqipërisë nga Ballkani i Hapur.