Politika Besa Shahini rikthehet në Tiranë: Për kë do votoj të dielën

Besa Shahini rikthehet në Tiranë: Për kë do votoj të dielën

Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, tha se të dielën do të jetë në Tiranë për të votuar PS-në. Ajo përzgjodhi tri kandidate gra, të cilave do jua jepte votën, po të mund të votonte jashtë qarkut të Tiranës.

“Të dielën do të shkoj në Tiranë për të votuar Partinë Socialiste, grupin politik me të cilin shërbeva për tre vite në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Kritikat e mia për PS-në qëndrojnë ende: PS duhet dhe mundet të jetë më e mirë, më e majtë, më e drejtë. Por, gjithashtu qëndron se sot PS vazhdon të jetë opsioni më i mirë për Shqipërinë.

Po të mund të votoja jashtë qarkut tim, do i jepja votën time Lindita Nikollës në Lezhë, e cila reformën në arsim e ka shtyrë përpara me kurajo e shumë sakrificë dhe duke punuar për Lezhën paralelisht, pa u ndalur.

Do të kisha votuar për Milva Ekonomin në Durrës që si deputete u përfshi totalisht në përpjekjet tona për të ndihmuar qytetarët e prekur nga tërmeti, duke kontribuar me punën dhe ekspertizën e saj.

Apo Anila Denajn në Vlorë, e cila me kokë të ftohtë dhe pasion në zemër, drejtoi suksesshëm sfidat marramendëse financiare me të cilat u ballafaquam kur pandemia filloi menjëherë pas tërmetit që shkaktoi dëme mbi 1 miliard Euro”, shkruan Shahini.