Kryesore Besnik Mustafaj ka një dilemë: Jeminët e Bashës janë shejtanë apo budallenj?

Besnik Mustafaj ka një dilemë: Jeminët e Bashës janë shejtanë apo budallenj?

Një nga kritikët më të ashpër të Lulzim Bashës që pas zgjedhjeve, Besnik Mustafaj e ka akuzuar atë se po e drejton PD me një sedër të sëmurë, dhe se po vendon inatin ndaj kundërshtarëve të partisë mbi interesat e PD-së.

Në një analizë që ish-ministri i Jashtëm Mustafaji bën në Panorama, shkruan se Basha do ta ketë të vështirë të rikthejë PD-në në pushtet në këtë mënyrë.

Sipas Mustafajit ,me opozitën që bën Basha, PD mund të vijë në pushte vetëm nëse një ditë Rama do të lodhet dhe do t’i lëshojë vendin.

“Pasi të ketë qetësuar sedrën e vet të sëmurë, do t’i kthehet, pse jo shpresës për të marrë pushtetin. Por kali i betejës, Partia Demokratike, do të jetë ligur aq shumë atëherë, sa nuk do ta mbajnë dot këmbët. “Djali i mirë” Lulzim Basha ka me siguri në prapamendim ndonjë marrëveshje tjetër nokturne kokë më kokë me Ramën, i cili, i tejngopur tashmë me ushtrimet kryeministrore, do t’i lerë zyrën e qëndisur me vizatimet e tij këmbëpule. Po a ka njeri në Shqipëri të besojë se Edi Rama do të ngopet një ditë me pushtet”?, shkruan Mustafaj, që sakaq thekson se në rrugën qorre që është futur po e gremisin edhe një sërë jeminësh:  “Basha nuk dëshiron ta kuptojë se gojën e kritikëve e mbyll vetëm duke bërë mirë detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, e cila nuk është vatha e tij personale, por shtëpia e të gjithë demokratëve. Duke i hequr kësaj shtëpie gurin e themelit, siç bën, i ndihmuar edhe nga një grup jeminësh, nga budallallëku apo nga shejtanllëku, – njësoj është rezultati -, ai po e shtyn të djathtën politike shqiptare drejt një humnere, nga ku asaj do t’i duket një mundim i madh për të dalë. Unë nuk po flas pra thjesht për të shpëtuar shpirtin tim. Nuk do të doja të isha dëshmitar i kësaj katastrofe”.