Ekonomi Beteja për gaz, si mund të përfitojë Shqipëria nga aleanca greko-izraelite kundër...

Beteja për gaz, si mund të përfitojë Shqipëria nga aleanca greko-izraelite kundër Turqisë

Si kundërpërgjigje ndaj marrëveshjes së arritur mes Turqisë dhe Libisë, që ndajnë Mesdheun duke pretenduar si ujëra territoriale një korridor që fillon nga brigjet turke në veri, e mbyllet në brigjet afrikane libiane në jug, Greqia dhe Izraeli kanë vendosur që të përshpejtojnë punën për ndërtimin e gazsjellësit “East Mediterranean”.

Ndërtimi i këtij gazsjellësi me një gjatësi rreth 2200 kilometra është një projekt i hershëm i lobuar fort sidomos nga Greqia e Qipro, por edhe i mbështetur nga Izraeli dhe Italia. Ai synon që të transferojë nga brigjet izraelite në brigjet italiane, duke kaluar përmes Mesdheut rreth 20 miliardë metër/kub gaz.

Mediat greke shkruajnë se për këtë qëllim, Kryeministri Qirjakos Mitsotaqis ka pasur së fundmi një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanjahu. Të njëjtat burime thonë se në bisedën në fjalë, mes Kryeministrit grek dhe atij izraelit është diskutuar mundësia që në ditët e para të janarit të mblidhen në Athinë përfaqësuesit e Italisë, Greqisë, Qipros dhe Izraelit për të nënshkruar marrëveshjen e nisjes së punës për këtë gazsjellës.

Katër vendet e konsiderojnë me rëndësi gjeo-strategjike këtë gazsjellës, edhe si kundërpërgjigje ndaj Turqisë dhe “aleancës” së saj me Rusinë dhe Iranin. Por, projekti gëzon edhe mbështetjen e vendeve të tjera të Bashkimit Europian dhe të SHBA, që nuk dëshirojnë që tregu europian të lihet në duart e pasigurisë së gazsjellësave rusë që kalojnë përmes Turqisë dhe Ukrainës.

Qeveria greke thotë se pavarësisht kërcënimeve të Turqisë dhe pretendimeve të dy vendeve për ujërat territoriale në Mesdhe, ku në një pjesë të madhe mbivendosen hartat e pretenduara të Zonave Ekskluzive Ekonomike, gazsjellësi do të ndërtohet.

Vlera totale e gazsjellësit përllogaritet në rreth 8 miliardë dollarë. Por, hovi grek për ndërtimin e plotë të tij sa më parë, mund të ndërpritet nga faktorë që nuk varen nga Athina. Së pari, në Izrael ka ende një pasiguri sa i takon qeverisë së re të vendit, ndërsa Italia nuk ka ndryshuar thelbësisht qëndrimin e saj për të mos financuar këtë gazsjellës.

Roma është përqëndruar aktualisht tek vënia në punë të plotë të gazsjellësit TAP, që kalon përmes Shqipërisë, ndërsa si zgjidhje për të ulur koston e “East Med” një ide që ka qarkulluar është edhe lidhja e tij me TAP-in. Në këtë skenar, në hartën e vendeve që do të përfitonin nga ndërtimi i këtij gazsjellësi do të përfshihej edhe Shqipëria, duke u shndërruar në portën hyrëse të rreth 30 për qind të gazit për të cilin do të ketë nevojë tregu europian në vitin 2030.

Turqia dhe Libia nënshkruan së fundi një marrëveshje ku zgjerojnë hartën e ujërave territoriale nëpër Mesdhe. Bëhet fjalë për vendosjen e një korridori që shtrihet pa ndërprerje përmes Mesdheut nga brigjet e Libisë deri tek brigjet e Turqisë. Gjerësia e korridorit është 30 kilometra, duke zgjeruar hapësirën territoriale turke që shtrihet deri 10 kilometra nga brigjet e Kretës. Marrëveshja është nënshkruar më 27 nëntor dhe të ratifikuar nga të dyja vendet.

Greqia ka reaguar duke njoftuar dorëzimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të këtij memorandumi duke deklaruar se ai shkel ligjin ndërkombëtar për ndarjen dhe vendosjen e kufijve detarë.

Megjithatë, Ankaraja këmbëngul se marrëveshja nuk cenon asnjë vend tjetër në Mesdhe, se ajo është një marrëveshje e nënshkruar mes dy vendeve sovrane dhe në përputhje të plotë me të gjitha direktivat e përcaktuara nga ligji ndërkombëtar.

Por, nga përmbajtja e anekseve të memorandumit të nënshkruar mes dy vendeve, kuptohet qartë që shënjestra është Greqia. Pika e parë përcakton koordinatat gjeografike ku Turqia dhe Libia zgjerojnë ujërat e tyre territoriale në Mesdhe, ndërsa mes parashikimeve është edhe klauzola që detyron dy vendet nënshkruese që të njoftojnë njëra-tjetrën në çdo hap në rast të një negociatë me një vend tjetër për çështjen e kufirit detar.

Njëri prej vendeve me të cilat Libia nuk ka një marrëveshje për kufirin detar është Greqia dhe kjo do të thotë se në bisedimet e mundshme mes Tripolit dhe Athinës, Ankaraja do të ketë sy e veshë në tryezë, që detyrohen nga memorandumi në fjalë./ Gazeta Si