Ekonomi Bezos, 55 mld dollarë sipër Gates: Kthehet në personin më të pasur...

Bezos, 55 mld dollarë sipër Gates: Kthehet në personin më të pasur të historisë moderne

Shpërndaje

Jeff Bezos është personi më i pasur në historinë moderne.

Pasuria neto e themeluesit të Amazon, arriti në 150 miliardë dollarë në nisje të javës, sipas indeksit të miliarderëve të matur nga Bloomberg.

Kjo shifër është rreth 55 miliardë dollarë më e madhe se pasuria e themeluesit të Microsoft, Bill Gates, që është personi i dytë më i pasur.

Bezos ka kaluar gjithashtu Gates gjatë kulmit të tij përpara dy dekadash, duke e përshtatur me inflacionin.

Niveli prej 100 miliardë dollarë që Gates arriti në vitin 1999,  gjatë flluskës dot-com, do të vlente rreth 149 miliardë, me dollarin sot.  Kjo e bën ekzekutivin e Amazon, personin më të pasur ndonjëherë në planet, të paktën që prej vitit 1982, kur Forbes nisi të bëj vlerësimet.

Bezos e kaloi këtë limit, ndërkohë që Amazon po përgatitej të niste eventin e shitjeve të verës që do të zgjasë 36 orë, të quajtur Prime Day.

Aksionet e kompanisë arritën në një nivel rekord prej 1,842 dollarë ditën e Hënë.

Megjithatë, qëndrimi sipër 150 miliardë dollarë për Bezos ishte i shkurtër, pasi aksioni ra poshtë 1,800 dollarëve, ndërkohë që investitorët e teknologjisë u zhgënjyen me rezultatin e Netflix për tremujorin.

Pasuria neto e Bezos është rritur me 52 miliardë dollarë këtë vit, që është më shumë se e gjithë pasuria e ekzekutivit të Alibaba, Jack Ma.  Një raport i Rezervës Federale zbuloi se 1%-shi i familjeve amerikane kontrollonte 39% të pasurisë në SHBA në 2016-ën.

Pas Bezos, në indeksin e miliarderëve të Bloomberg, është Bill Gates, me një pasuri prej 95.3 miliardë dollarë.

Gates do të kishte një pasuri prej më shumë se 150 miliardë dollarë, nëse ai do të mbante të gjithë zotërimet që ka dhënë për bamirësi, nëpërmjet Fondacionit Bill & Melinda Gate.