Kryesore Biden dhe Macron urojnë Metën për Ditën e Pavarësisë: Do të vazhdojmë...

Biden dhe Macron urojnë Metën për Ditën e Pavarësisë: Do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë

Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë një mesazh të ngrohtë urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R. Biden Jr.

Në mesazhin e urimit shkruhet:

“I dashur Zoti President,

Në Ditën tuaj të Pavarësisë, e uroj Shqipërinë në emër të popullit amerikan!

Këtë vit ne përkujtojmë tridhjetëvjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe festojmë një miqësi të mbështetur në lidhjet e familjes dhe historisë, si dhe mbi vlerat tona demokratike dhe përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut, që ndajmë sa bashku.

Ato që Shqipëria ka arritur që nga viti 1991 janë mbresëlënëse.

Sot, Shqipëria është një vend mik i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një aleat i rëndësishëm i NATO-s, dhe një anëtare e sapofutur në Këshillin e Sigurisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu Shqipëria po i tregon botës mikpritjen e saj të madhe duke pritur si dhe duke iu dhënë një strehim të sigurt afganëve në rrezik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë ndërsa ju forconi institucionet tuaja demokratike, përmbushni reformat e rëndësishme në sektorin e drejtësisë, luftoni korrupsionin për të siguruar një klimë transparente dhe të barabartë sipërmarrjeje për investitorët shqiptarë dhe ata të huaj, si dhe teksa ndiqni të ardhmen tuaj europiane.

Marrëdhënia jonë dypalëshe në rritje të tregtisë dhe investimeve, sidomos në sektorin e rëndësishëm energjetik, është kyçe për rimëkëmbjen e Shqipërisë si dhe për thellimin e partneritetit tonë.

Dëshiroj t’i uroj popullit shqiptar, edhe në emër të të gjithë amerikanëve, një Ditë të paqtë të Pavarësisë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare ta quajnë Shqipërinë një vend mik, partner dhe aleat”.

Macron uron Metën me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë: Mbështetje të plotë Shqipërisë

Me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Në mesazhin e Presidentit të Republikës Franceze, urohet:

“Zoti President, me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dëshiroj t’ju përcjell gjithë përgëzimet e mia dhe në emër të popullit francez!

Dëshiroj që marrëdhëniet tona dypalëshe të vazhdojnë të forcohen, pikërisht në fushën ekonomike, në përputhje me strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor që kam miratuar në vitin 2019!

Përfitoj nga ky rast për të konfirmuar mbështetjen e plotë të Francës ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë.

Në këtë kontekst përshëndes përpjekjet e mëdha të Qeverisë dhe të popullit shqiptar për të plotësuar kushtet e përcaktuara nga Këshilli në lidhje me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të negovciatave të aderimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Ashtu si dhe gjatë Samitit të fundit të Brdos, ju siguroj për angazhimin e Francës në realizimin e kësaj konference të parë.

Përshëndes gjithashtu qëndrimin e vendit tuaj në mbështetje të plotë të politikës së  jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Europian dhe më gëzon fakti i bashkëpunimit që do të kemi së shpejti në gjirin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Duke ju përtërirë përgëzimet e mia më të sinqerta, ju lutem të pranoni, Zoti President, sigurinë e konsideratës time të lartë.”