Bota Biden-Harris: SHBA do të rikthehet pjesë e paktit për klimën

Biden-Harris: SHBA do të rikthehet pjesë e paktit për klimën

Joe Biden dhe Kamal Harris mbajtën një takim në distancë me funksionarë të sigurisë kombëtare dhe të politikës për klimën.

Ata diskutuan angazhimin e 78-vjeçarit për klimën, përfshirë rikthimin e Shteteve të Bashkuara në akordin e Parisit, që nga dita e parë pas marrjes së detyrës së presidentit. Raportimi vjen nga mediat amerikane. Edhe gjatë fushatës, Biden e ka shprehur publikisht që do të rianëtarësonte vendin në paktin për klimën.

Më 4 nëntor të vitit të kaluar, qeveria e drejtuar nga Donald Trump, i kishte dërguar Kombeve të Bashkuara një letër për ta informuar që SHBA ka nisur procesin e tërheqjes nga akordi, proces i cili u finalizua një muaj më parë.

Biden pati një bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në të cilën u diskutua “përforcimi i bashkëpunimit” në luftën ndaj pandemisë Covid-19 dhe ndryshimeve klimatike.

Konfirmimi për këtë erdhi nga një deklaratë e ekipit të tranzicionit të Biden. Gjithashtu, theksohet se ata diskutuan edhe për “përballimin e nevojave humanitare, përparimin në zhvillimin e qëndrueshëm, mbështetjen e paqes dhe sigurisë, zgjidhjen e konflikteve dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”. Ndërkohë, një tjetër vendim që Biden pritet të anulojë është ai i largimit të Shteteve të Bashkuara nga anëtarësia në Organizatën Botërore të Shëndetit.