Bota Biden i pandalshëm në zgjedhjet demokrate, stafi i këshillon Sandersit të tërhiqet

Biden i pandalshëm në zgjedhjet demokrate, stafi i këshillon Sandersit të tërhiqet

Tashmë është pothuajse zyrtare. Joe Biden do të jetë kandidati demokrat që do të përballë Donald Trump për karrigen më të rëndësishme në botë, atë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas një fillimi të vështirë në shtetet e para, kur kandidatët ishin të shumtë dhe me programe të përafërta, Biden përfitoi nga tërheqja e disa prej tyre dhe nga zgjedhjet në Karolinën e Jugut e më pas ka triumfuar pothuajse kudo.

Dje ish-zëvendës presidenti fitoi me distancë edhe në shtete kyçe si Florida, Illinois dhe Arizona, ndërkohë që në Ohio zgjedhjet u shtynë për frikën e koronavirusit.

Rivali i vetëm i mbetur, Bernie Sanders, edhe pse kandidati favorit i komuniteteve spanjolle dhe të moshave të reja, gjykohet tepër “i majtë” për një elektorat demokrat që gjithsesi ka në pjesën e saj të moderuar numrat e domosdoshme për të fituar. Tashmë edhe në stafin e senatorit të Vermontit Sanders ka zëra që i kërkojnë të tërhiqet, për mos të rrezikuar lëvizjen e tij progresiste gjatë zgjedhjeve të përgjithshme.