Kryesore Biden: Jemi në rrugën e duhur. Trump: Po përpiqen të vjedhin zgjedhjet

Biden: Jemi në rrugën e duhur. Trump: Po përpiqen të vjedhin zgjedhjet

Kandidati demokrat, Joe Biden, tha se ishte optimist për rezultatin e zgjedhjeve. Në një fjalim të shkurtër në shtetin e Delauer, Biden tha se kishte besim që në fund do të dilte fitimtar.

“E dinim që do të ishte rrugë e gjatë, ndoshta do të zgjasë më shumë. Por ndihemi mirë. Besojmë se jemi në rrugën e duhur për të fituar zgjedhjet. Duhet të jemi të duruar deri sa të numërohet çdo votë. Por ndihemi mirë, besojmë se kemi fituar Arizonën, dhe Minesotën, dhe jemi ende në lojë në Xheorxhia. Kemi ndjesi të mirë për Usikonsin dhe Miçigan. Edhe pse do të duhet kohë për të numëruar votat, do të fitojmë në Pensilvenia. Mund të duhet më shumë kohë. Nuk më takon mua, dhe as Donald Trump-it të thonë kush i fitoi këto zgjedhje, kjo i takon popullit amerikan”, tha Biden.

Edhe pse tashmë e ka fituar Arizonën, Biden është ende mbrapa në shtetet e “murit blu”, Miçigan, Usikonsin dhe Penslivania, diçka që me sa duket, ai dhe skuadra e tij, besojnë se do të arrijnë t’i fitojnë.

“Po përpiqen të vjedhin zgjedhjet”, Twitter i fsheh postimin Donald Trump

“Jemi shumë përpara, por po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Nuk do t’i lejojmë ta bëjnë këtë. Votat nuk mund të hidhen pasi janë mbyllur qendrat e votimit”.

Ky ishte postimi në Twitter i Donald Trump, menjëherë pas deklaratës së Joe Biden se ai është në drejtimin e duhur, por duhet të pritet akoma për rezultatin final.

Por postimi i Trump në Twitter u fsheh vetëm pak minuta pas publikimit, ndërsa rrjeti social e komentoi veprimin se postimi mund të ketë informacione të pa vërtetë. “Një pjesë ose i gjithë teksti i ndarë është i kundërshtueshëm dhe mund të japë informacion të gabuar rreth zgjedhjeve”.

Ndërkohë, në Facebook, komenti i Donald Trump nuk u fsheh.